Shtyhen Interpelancat

Edhe pse ishin pika të rendit të ditës-interpelancat e Isa Mustafës dhe Blerand Stavilecit janë shtyrë për ndonjë seancë tjetër të Kuvendit.

Deputetja e “Vetëvendosjes” Donika Kadaj-Bujupi me nënshkrimin e 15 deputetëve kishte ftuar në interpelancë Kryeministrin Mustafa në lidhje me çështjen e shfrytëzimit të thëngjillit dhe minierës së Sibovcit, por nuk ishte e pranishme në seancë.

Shtyrjen e kësaj interpelance e kërkoi shefi i grupit parlamentar të “Vetëvendosjes” Glauk Konjufca, me arsyetimin se Donika Kadaj-Bujupi ndodhej në udhëtim zyrtar.

“Kërkoj që interpelanca të shtyhet për shkak që parashtruesja e kërkesës është në një udhëtim zyrtar”, tha Konjufca.

Nuk u zhvillua as interpelanca tjetër-ajo e ministrit të Zhvillimit Ekonomik Blerand Stavileci në lidhje me kontratën e privatizimit të kompanisë së distribuimit të energjisë elektrike.

Interpelancën e Stavilecit e kishte kërkuar deputeti i “Vetëvendosjes” Visar Ymeri, i mbështetur nga 15 deputetë të tjerë, por ministri nuk ishte i pranishëm në seancë.