Shtrenjtohet rryma, lirohen drutë

Nga muaji mars deri në muajin prill, furnizimi me energji elektrike është shtrenjtuar për 2.5 për qind.

Por në anën tjetër furnizimi me dru zjarri për ngrohje është liruar për -5.3 për qind në krahasim me muajin paraprak.

Hulumtimi i ASK-së për vitin 2015 bëri të ditur se 99.8 për qind e territorit mbulohet me energji elektrike dhe 70 për qind e banesave përdorin drurin si lëndë djegëse për ngrohje.

Përkundër se në muajin prill Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit (IHÇK) nuk pësoi ndryshime në krahasim me muajin paraprak, KALLXO.com vëren se çmimi i energjisë elektrike ka shënuar rritje për 2.5 për qind në muajin prill.

“Ngritje e lehtë e çmimeve vërehet te nëngrupet: pemë (1.1%); ujë mineral, pije joalkoolike, lëngje nga pemët dhe perimet (0.4%); energji elektrike (2.5%); përdorimi i pajisjeve për transportin personal (0.5%), me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej 0.1% në IHÇK”, thuhet në indeksin e ASK-së.

ASK-ja thotë se ngritja u neutralizua, kryesisht nga rënia e lehtë e çmimeve te nëngrupet: perime -1.7 për qind; dru zjarri për ngrohje -5.3 për qind, me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej 0.1 për qind në Indeksin e Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit.

KALLXO.com shkroi për të dhënat e ASK-së të cilat treguan se 70 për qind e banesave në Kosovë përdorën drurin për ngrohje.

http://kallxo.com/mbi-70-per-qind-e-banesave-perdoren-drurin-per-ngrohje/

Të dhënat për muajin e parë të këtij viti flisnin për një rënie të çmimit të energjisë elektrike si rezultat i vendimit të Zyrës së Rregullatorit për Energji për tarifat e energjisë elektrike.