Shtetet e Ballkanit po Rrëshqasin në Lidership Autoritar

Dhoma Britanike e Lordëve paralajmëron në  një raport të publikuar të mërkurën se shtetet e Ballkanit Perëndimor me të madhe po kthehen kah autoritarizmi dhe se stabiliteti në rajon po minohet nga shtetet e huaja si Rusia.

Raporti thekson “shqetësimet serioze se përfitimet e bëra nga qeverisja e mirë dhe sundimi i ligjit janë në rrezik që të humbin meqë vendet në rajon po kthehen kah lidershipi autoritar, politikat nacionaliste dhe kapja e shtetit”.

“Kjo po përkeqësohet nga një heshtje e dukshme nga ana e komunitetit ndërkombëtar për t’i sfiduar këto tendenca, si dhe nga krimi i organizuar endemik dhe korrupsioni në rajon. Stabiliteti në rajon gjithashtu është minuar nga ndikimi i shteteve të treta”, thuhet në raport.

Raporti i titulluar “Mbretëria e bashkuar dhe e Ardhmja e Ballkanit Perëndimor”, thotë se edhe pse rruga e vendeve të Ballkanit drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian mund të jetë e rëndësishme, duhet të bëhet progres i vërtetë në luftimin e korrupsionit, sundim të ligjit, garantim të lirisë së shprehjes dhe bërjen e reformave tjera.

“Jashtë BE-së por duke mbetur kampion për anëtarësim, Mbretëria e Bashkuar duhet të jetë një mike kritike e vendeve në rajon. Qeveria britanike duhet të flsë kur vendet në rajon nuk i aplikojnë vlerat dhe standardet e kërkuara dhe ta përdorë ndikimin e vet për të siguruar se të metat janë njohur”, thotë raporti.

Raporti publikohet para Samitit të ardhshëm për Ballkanin Perëndimor i cili do të mbahet në korrik në Londër.

“Përpara këtij samiti, ne do ta forcojmë bashkëpunimin tonë në çështje të sigurisë me partnerët tanë në Ballkanin Perëndimor përfshirë çështjet që kanë të bëjnë me krim të organizuar, anti-korrupsion dhe siguri kibernetike”, kishte thënë Kryeministrja e Mbretërisë së Bashkuar, Theresa May në mars të vitit të kaluar.

Kryesuesi i Komitetit Ndërkombëtar në Dhomën e Lordëve, Lordi Howell of Guildford, tha për BIRN se shtetet e Ballkanit Perëndimor do të vazhdojnë të jenë të rëndësishme për Britaninë edhe pasi ishulli ta braktisë Bashkimin Europian.

“Fakti se ne nuk do të jemi pjesë e BE-së, besoj, nuk do të ndikojë në interesin dhe përkushtimin që qeveria britanike e ka për rajonin”, tha Lordi Howell.

I pyetur nëse Britania e Madhe do t’i bashkohet politikës së BE-së për Ballkanin edhe pasi ta braktisë unionin, anëtari i Komitetit Ndërkombëtar të Dhomës së Lordëve, Lord Hannay of Chiswick, tha për BIRN se do të ishte e pamençur nëse do të ketë politika të ndryshme.

“Nuk do të ishte as në të mirë të vendeve në Ballkanin Perëndimor. Duhet të gjejmë rrugën që nga jashtë BE-së ta vazhdojmë punën me shtetet e BE-së”, tha Lordi Hannay.

Raporti thekson shqetësimet se BE ka zgjedhur “stabilitetin mbi vlerat demokratike” në Ballkan.

“Stabilieti është diçka që arrihet por nuk është adekuat nëse ai nuk shoqërohet me sundim të ligjit”, tha Lordi Hannay.

Raporti shpreh shqetësimet se Rusia po tenton të veprojë si “prishës” në rajon, me qëllim që “ta ndërpresë integrimin e mëtejmë (të rajonit) me perëndimin”.

Raporti gjithashtu thekson investimet në rritje kineze në rajon, si dhe interesi në rritje nga vendet tjera si Turqia, Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.

Në raport i kërkohet qeverisë britanike që ta përdorë samitin e korrikut për ta vendosur në detaje kontributin që Britania e Madhe është përgatitur ta bëjë, në partneritet me BE-në, për ta mbështetur stabilitetin, demokracinë, sundimin e ligjit dhe prosperitetin në rajon.