Gjykata Themelore e Prishtinës - Foto: KALLXO.com

Shtetasi i Serbisë Gjobitet për Posedim të Drogës në Kosovë

Gjykata Themelore në Prishtinë e shpalli fajtor dhe e gjobiti Igor Alibashiqin, pasi para trupit gjykues kishte pranuar fajësinë për veprën penale të blerjes, posedimit dhe shitjes së paautorizuar të narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge.

Ai në shqyrtimin fillestar para trupit gjykues deklaroi se ndjehet fajtor dhe e pranon fajësinë për veprën penale e cila i vihet në barrë.

Gjyqtarja e rastit Shpresa Hyseni deklaroi se pas vlerësimit të të gjitha shkresave të lëndës ka vlerësuar pranimin e fajësisë nga i akuzuari andaj ka vendosur që të akuzuarin ta gjobisë me 8 mijë euro.

Igor Alibashiq këtë dënim është i obliguar që ta përmbushë në afat prej dy muaj pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit. Nëse brenda këtij afati nuk e përmbushë dënimin me gjobë, atij do t’i shqiptohet dënim me burgim prej 2 vjet e gjashtë muaj burg.

Atij po ashtu iu shqiptua edhe dënim plotësues, më të cilin i konfiskohen rreth 13 kilogramë substanca narkotike që i ishin gjetur nga Policia ndërsa i është konfiskuar edhe vetura të cilën e kishte përdorur si mjet për të kryer veprën penale.

Igor Alibashiq ndodhej në paraburgim që nga 25 maji i vitit të kaluar.

Edhe pse i ka shpëtuar dënimit me burg, ai do të vazhdojë të mbahet në paraburgim deri në plotfuqishmërinë e aktgjykimit por jo më tepër se sa dënimi i shqiptuar.