Fotografi nga pasojat e vjedhjes në shtëpinë e Sadri Ramabajës. Foto: Sadri Ramabaja/Facebook

Shtëpia e Kandidatit për Deputet, Cak i Hajnave

Në një postim në llogarinë e vet në Facebook, Ramabaja thotë se grabitja dhe hyrja në shtëpinë e tij me forcë nga persona të panjohur i kishte kujtuar kohën kur ishte arrestuar për të tretën herë nga policia e Serbisë.

“Pamjet dhe demolimi ma kujtuan veprimin e policisë politike të Serbisë në vitin 1983, kur më kishin arrestuar për herë të tretë. Cak i urrejtjes së këtyre shantazhuesve, që Policia ka gjasa t’i cilësojë si hajna ordiner, kishte qenë biblioteka dhe tavolina e punës”, thuhet në postimin e Ramabajës.

Lëvizja Vetëvendosje me anë të një reagimi ka thënë se e dënon ashpër këtë sulm dhe fton organet e rendit që sa më parë të zbardhin të vërtetën, dhe fajtorët të vihen para drejtësisë.

“Veprimet e këtilla nuk e frikësojnë e as nuk e zmbrapsin asnjë aktivist nga radhët tona. Angazhimi ynë për një shtet ku mbretëron drejtësia, rendi e ligji, nuk merr fund nga asnjë lloj presioni apo dhune, nga kushdo qoftë”, thuhet në reagimin e LVV-së.

Në polici rasti është hapur si vjedhje e rëndë.

“Viktima mashkull K-Shqiptar ka raportuar se persona të panjohur dyshohet  kanë hyrë me forcë në shtëpinë e tij dhe aty kanë vjedhur disa gjëra duke përfshirë: një orë dore, modemin e internetit dhe pasaportën e bashkëshortes së viktimës”, thuhet në raportin policor.

Policia thotë se është duke e hetuar rastin.

Fotografi nga pasojat e vjedhjes në shtëpinë e Sadri Ramabajës. Foto: Sadri Ramabaja/Facebook