Shtëpitë e ndërtuara për familjet e kthyera rome e egjiptiane –Foto: KALLXO.com

Shtëpi të Reja për 11 Familje Rome e Egjiptiane

Njëmbëdhjetë familje të komuniteteve rom e egjiptian janë kthyer për të jetuar në Kosovë, prej ku ishin larguar 17 vjet më parë.

Këtyre familjeve u janë ndërtuar shtëpi të reja në Brestovik të Pejës.

Projekti është financuar nga  Bashkimi Evropian në bashkëpunim me Komunën e Pejës, Ministrinë për Komunitete dhe Kthim  dhe organizatën IOM.

Njëri prej të kthyerve, Nexhmedin Osmani, thotë se është i kënaqur që prapë u kthye në Pejë. Në këto vitet e pasluftës, ai dhe familja e tij ka qëndruar në kampin e refugjatëve në Beran të Malit të Zi.

“ Po për shpija jemi të kënaqur që na kanë maru, krejt mirë. Me ndihma na kanë pru, me miell e me dru, e me qeto. Faleminderes na kanë pru mirë. Po për punë e kemi vështirë”, thotë Osmani për KALLXO.com.

Por, shpresë për të punuar i japin mjetet për punë që i janë dhuruar secilës familje. Nexhmedinit i është dhuruar një traktor.

“Po faliminderes, me qeto (traktor) mujshim me pune bile diçka me bo idare, me nxerrë far idare, me honger me pi”, thotë ai.

Ndërsa, Sefedin Zeqiri, thotë se kërkesë për kthim në Kosovë ka bërë edhe pjesa tjetër e familjes, e cila ende ka mbetur në Beran.

“Mendoj që edhe ata dy kthehen, po që ju vjen për mu kthy. E kanë bo edhe ata kërkesën për mu kthye a nuk dihet kur”, tha ai.

Të kthyerit thonë së janë mirëpritur nga institucionet dhe  banorët e Pejës.

E Orhan Meta thotë së bashkë me familjet e tjera të kthyera ishin dëbuar nga forcat serbe.

“Unë jam i Pejës, kam lind në Pejë. Në kohën gjatë luftës kur u bo 1999 jena dalë prej shtëpisë, jena shku në Mal të Zi. Prej shtëpive na kanë qitur serbët, nuk jena dal na, se na kena jetu një lagje me shqiptarët”, thotë Meta për KALLXO.com.

Të enjten në Brestovik do mbahet ceremonia e inaugurimit të këtij projekti, ku prezentë pritet të jenë përfaqësuesja e BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova, kryetari i Pejës, Gazmend Muhaxheri dhe ministri për Kthim dhe Komunitete, Dalibor Jevtiq.