Gjykata Themelore e Prishtinës - Foto: KALLXO.com

Shtatë Vjet e Gjysmë Burg për Vrasjen e Para Shtatë Viteve

Në fakt, trupi gjykues, në vendimin e lexuar sot, tha se Rexhepi është dënuar me shtatë vjet për veprën e parë të vrasjes së kryer në vitin 2010, ndërsa gjashtë muajt e tjerë i janë shqiptuar për veprën e dytë penale të armëmbajtjes pa leje.

Përveç kësaj, kryetarja e trupit gjykues Valbona Musliu-Selimaj, bëri të ditur se të akuzuarit i është konfiskuar arma si dënim plotësues.

Përparim Rexhepi është shpallur fajtor për ngjarjen e 29 nëntorit të vitit 2010.

Në bazë të aktakuzës, Rexhepi me dashje ka privuar nga jeta tani të ndjerin Fitim Gashi.

Rexhepi poashtu ka rrezikuar jetën e të tjerëve dhe ka tentuar të privojë nga jeta Avdi Gashin.

Sipas aktakuzës, gjatë kohës që i akuzuari gjendej në lokalin e tij “Te Shvaba” në Prishtinë, ka ardhur tani i ndjeri Fitim Gashi së bashku me Avdi, Agron dhe Fejzullah Gashi për t’u marrë vesh për një përleshje që kishte ngjarë një natë më parë.

Si rezultat, kishte filluar një përleshje fizike ku ishin shkëmbyer grushte, shqelma e gjuajtje me shishë të birrës.

Pas një kohe, i ndjeri dhe personat e tjerë kanë dalë nga lokali me ç’rast, tani më i dënuari Përparim Rexhepi me revole ka gjuajtur disa herë ka gjuajtur në drejtim të tyre ku edhe e ka qëlluar tani të ndjerin Gashi.

Si pasojë e plagëve, i ndjeri ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes.

Pas kësaj, Rexhepi është paraqitur në polici ndërsa të tjerët janë larguar nga vendi i ngjarjes.