Gjykata në Prizren | Foto: KALLXO.com

Shtatë të Akuzuarit e Rastit ‘Beska’ Shpallen të Pafajshëm

Të premten, pas pesë vjetëve të gjykimit të të akuzuarve për kidnapimin e Gentian Shkrelit, djalit të pronarit të restorantit “Beska” në Prizren, ata u shpallën të pafajshëm.

Ky gjykim ishte gati në përfundimin e procedurës së provave, mirëpo në vitin 2013 kryetarit të trupit gjykues Xhevdet Elshanit, iu keqësua gjendja shëndetësore dhe një kohë të gjatë gjykimi nuk u mbajt, derisa rastin e mori gjykatësi tjetër Skender Çoçaj.

Dy të pandehurit Shukri Krasniqi dhe Selam Shoshaj qëndruan në paraburgim mbi 2 vjet.

Kidnapimi i Gentian Shkrelit kishte ndodhur në muajin shtator të vitit 2011, ndërsa shqyrtimi fillestar për këtë rast filloi më 01 tetor 2012 për të përfunduar në muajin qershor të vitit 2017.

Për këtë rast emisioni “Drejtësia në Kosovë” në vitin 2012 hulumtoi dhe transmetoi dy emisione radhazi.

Rrëmbimi në Prizren

Rrëmbimi në Prizren Pjesa 2

Sipas aktakuzës së prokurorisë, më 14 shtator të vitit 2011 në bashkëkryerje shtatë të akuzuarit, akuzoheshin për rrëmbimin e të birit të biznesmenit Mërgim Shkreli, Gentianit, i cili ditën kritike ishte duke e përcjellë të dashurën e tij për në banesë.

Pas ndarjes nga e dashura, sipas aktakuzës, Gentiani rrëmbehet nga Bashkim Krasniqi dhe Selami Shoshaj me një makinë “pick-up”. Ata akuzoheshin se e kishin futur viktimën mbrapa në rimorkio duke ia mbyllur sytë, me qëllim që të mos ua shohë fytyrat dhe e kishin dërguar në vendin e quajtur Marash.

Aty Gentian Shkrelin e kishin mbajtur të mbyllur deri më 17 shtator 2011, në një shtëpi në Rrugën e Kalasë.

Prokuroria bënte të ditur se të akuzuarit për lirim i kishin kërkuar babait të Gentianit 100 000 euro.

Mërgim Shkreli pastaj paratë e kërkuara ia kishte dhënë një personi të maskuar që pasi i kishte marrë paratë ishte larguar me shpejtësi drejt kalasë.

Në të njëjtën kohë Gentian Shkreli ishte liruar.

Aktakuza e prokurorisë i ngarkonte Selam Shoshajn në atë kohë 24-vjeçar dhe dajën e tij Bashkim Krasniqin 48 vjeç të njohur me pseudonimin “Mjekra” që nga lufta e UÇK-së, se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale rrëmbim i personit.

Ndërsa mbi të akuzuarit Besim Paçarizi, 29 vjeç, Beqir Dangallaj, 47 vjeç dhe Fatmire Rexhëbeqaj, 32 vjeç që të tre të punësuar në Policinë Rajonale në Prizren, të suspenduar për shkak të procesit gjyqësor, rëndonin akuzat për kryerje të veprës penale ndihmë në bashkëkryerje të rrëmbimit të personit.

Ndërsa të pandehurve Shukri Krasniqi dhe Leonard Veshalli, aktakuza për veprën penale të rrëmbimit u ishte ngritur më vonë, në bazë të dëshmisë së Enes Xhemës, i cili ka qenë po ashtu i pandehur për këtë rast dhe i dënuar me gjashtë muaj burgim për armëmbajtje pa leje.