Marina Pendes gjatë një fjalimi në televizion në vitin 2015.

Shqyrtohet Shkarkimi i Ministres së Mbrojtjes të Bosnjës

Dhoma e Përfaqësuesve diskuton sot nëse do të shkarkojë apo jo ministren e Mbrojtjes, Marina Pendes, dhe dy zëvendës të saj për shkak se ata lejuan një regjiment të ushtrisë të merrte pjesë në përvjetorin e krijimit të Republikës Srpska, një entitet gjysmë-autonom i Bosnjës, i mbizotëruar nga serbët, pavarësisht një ndalimi nga ana e Gjykatës Kushtetuese.

Pasi festimi i 9 janarit u vendos si antikushtetues nga Gjykata Kushtetuese, institucionet shtetërore dhe Kombet e Bashkuara paralajmëruan se çdo prani e Ushtrisë Boshnjake në festime do të ishte e paligjshme.

Por, zëvendësi i Pendes, Sead Jusiq, nënshkroi një kërkesë nga anëtari serb i presidencës trepalëshe të Bosnjës, Mladen Ivaniq, dhe anëtarë të Regjimentit të Këmbësorisë së Tretë të Ushtrisë Boshnjake u rreshtuan në sheshin kryesor në qytetin kryesor të Republikës Srpska atë ditë, në Banja Llukë.

Pendes, e cila është anëtare e partisë Bashkimi Demokratik Kroat, ishte me pushime në atë kohë.

Prania e trupave në këtë event të ndaluar serb shkaktoi zemërim ndër shumë politikanë të Bosnjës, sidomos boshnjakë.

Kërkesa për zëvendësimin e Pendes dhe dy zëvendësit e saj, Jusiq dhe Boris Jereniq, erdhi nga partitë e majta opozitare dhe Partia Social-Demokrate dhe Fronti Demokratik më 16 shkurt.

Ata thanë se të tre zyrtarët e Mbrojtjes shkelën Ligjin mbi Shërbimet e Ushtrisë Boshnjake kur lejuan një prani të ushtrisë bazuar në kërkesën e vetëm një anëtari të presidencës, edhe pse vetëm institucioni i presidencës si një i tërë – që do të thotë me mbështetjen e anëtarit boshnjak dhe atij kroat të presidencës – mund të paraqesin një kërkesë të tillë.

Veprimet e Pendes, Jusiq dhe Jereniq kanë qenë shumë të dëmshme për reputacionin e forcave të armatosura të vendit, pretendon kërkesa.

Disa politikanë të opozitës në janar paraqitën gjithashtu një ankesë penale kundër Ivaniqit, Pendesit, Jusiqit, Jereniq, si edhe kundër shefit të përbashkët të shtabit të ushtrisë, gjeneralit Anto Jeleç, dhe dy zyrtarë të tjerë të lartë të ushtrisë, duke i akuzuar ata për shpërdorim detyre në lidhje me këtë çështje.

Ministria e Mbrojtjes nisi një hetim në lidhje me këtë çështje në janar për të përcaktuar se çfarë ligjesh ishin shkelur, dhe nëse ishte kështu, cili person në zinxhirin komandues i shkeli ato.

Raportohet se një analizë e Ministrisë së Mbrojtjes i është dërguar presidencës por nuk dihet ende se kur do të bëhet publike.

Gjykata Kushtetuese e Bosnjës vendosi në vitin 2015 se festimi i Ditës së Republikës Srpska më 9 janar ishte diskriminuese ndaj joserbëve në entitet, sepse ajo është gjithashtu një festë fetare ortodokse serbe – dita e Shën Stefanit, i cili është shënjtori mbrojtës i Republikës Srpska.

Pavarësisht vendimit të Gjykatës dhe pavarësisht kundërshtimeve të forta nga boshnjakët, Shtetet e Bashkuara dhe zyrtarët e BE-së, autoritetet e Republikës Srpska mbajtën një referendum më 25 shtator duke kërkuar mbështetje publike për këtë festë.

Edhe referendumi u cilësua gjithashtu i paligjshëm nga Gjykata Kushtetuese.

Dita e Republikës Srpska shënon përvjetorin e krijimit të entitetit në vitin 1992, të cilën disa boshnjakë e shohin si një paravijë të luftës që shpërtheu tre muaj më vonë.