Pamje nga seanca e sotme e gjykimit të Artan Kadriut - Foto: KALLXO.com

Shqyrtohet në Apel rasti i të akuzuarit që pranon gjykim ‘veç me ligj të Allahut’

Kolegji i gjyqtarëve të Gjykatës së Apelit e ka shqyrtuar sot ankesën e pranuar nga Prokuroria Speciale në lidhje me aktgjykimin kundrejt të akuzuarit për terrorizëm Artan Kadriu.

Gjykata Themelore në Prishtinë në muajin dhjetor të vitit të kaluar pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor ka shpallur aktgjykimin me anë të të cilit të akuzuarin Artan Kadriu e kishte liruar nga akuza e cila i vihej në barrë.

Në arsyetim e aktgjykimit të Gjykatës Themelore thuhet se me asnjë provë nuk është arritur që të vërtetohet se i akuzuari e ka kryer veprën penale për të cilën akuzohet, prandaj në mungesë provash është nxjerrë aktgjykim lirues.

http://kallxo.com/gjykata-vendos-per-njeriun-qe-pranonte-gjykim-vec-ligje-te-allahut/

Në lidhje me këtë aktgjykim të Gjykatës Themelore, nuk është pajtuar prokurori i Prokurorisë Speciale Abdurrahim Islami i cili ka ushtruar ankesë pranë Gjykatës së Apelit.

Prokurori ka propozuar që Gjykata e Apelit ta aprovojë në tërësi ankesën e tij, në atë mënyrë që aktgjykimin e ankimuar ta anulojë dhe të akuzuarit Artan Kadriu t’i shqiptojë dënim me burgim apo lëndën ta kthejë në rigjykim.

Në ankesë prokurori i referohet provave për të cilat thotë se gjykata e ka mbështetur aktgjykimin, e që sipas tij nga ato prova tërësisht vërtetohet se i akuzuari është kryes i veprës penale për të cilën akuzohet.

Kurse mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Ahmet Gjinovci në përgjigje në ankesë të Prokurorisë, Gjykatës së Apelit i ka propozuar që ankesa e prokurorit të hidhet si e pabazuar pasi që sipas avokatit gjykata e shkallës së parë në mënyrë të plotë e ka vërtetuar gjendjen faktike, dhe aktgjykimi në fjalë është i bazuar në ligj.

Avokati Gjinovci, i cili ishte i pranishëm në seancë, deklaroi se sipas tij prokurori Gjykatës i ka propozuar provat të cilat kanë të bëjnë me një lëndë tjetër e cila është në proces dhe se në lidhje me këtë lëndë vendimi i Gjykatës për ta liruar të mbrojturin e tij ka qenë vendim i drejtë.

“Të gjitha provat që i ka paraqitur prokurori kanë të bëjnë me një lëndë tjetër, e cila është në proces. Ky në Siri nuk ka qenë, mirëpo prokurorit ju kanë ngatërru, krejt ka të bëjë me një lëndë tjetër që është në proces. I vetmi vendim i drejtë i Gjykatës është lirimi nga akuza në mungesë të provave”, u shpreh avokati.

Në Gjykatë ishte i pranishëm edhe vetë i akuzuari i cili tha se qëndron pranë deklaratës së tij të dhënë në shqyrtim gjyqësor, ndërsa për vete tha se mund të mbrohet vetë dhe se nuk e mbështetë avokatin të cilin ia ka caktuar Gjykata.

“Deklaratën që e kam dhënë në shkallën e parë qëndroj prapa saj. Këtë nuk e mbështes, Gjykata ma ka caktu”, tha i akuzuari Artan Kadriu.

Sipas aktakuzës, Artan Kadriu në mars të vitit 2016 u është bashkuar grupeve- formacioneve të jashtme paraushtarake të përfshira në luftën e Sirisë dhe në momentin kur nga shteti i Sirisë ishte duke u kthyer- hyrë në territorin e Turqisë është ndaluar nga autoritetet turke së bashku me disa persona të tjerë.

Me këtë Prokuroria pretendon se Kadriu ka kryer veprën penale bashkimi apo pjesëmarrja në ushtrinë apo policinë e huaj.

Së bashku me të i akuzuar kishte qenë edhe Arian Alijaj, por i njëjti ka lidhur marrëveshje për pranim të fajësisë.