Foto arkivi nga një gjykim i mëhershëm i Hysni Hoxhës | Foto: KALLXO.com

Shqyrtohet në Apel Ankesa për Dënimin e Hysni Hoxhës

Gjykata e Apelit sot shqyrtoi kërkesën e Tahir Rrecajt, avokatit të Hysni Hoxhës, ish-kreut të Organit Shqyrtues të Prokurimit.

Rrecaj ishte ankuar në Gjykatën e Apelit pas dënimit të Hysni Hoxhës nga Gjykata Themelore në Prishtinë për keqpërdorim detyre me tre vjet burg dhe 3 vjet mosushtrim të funksioneve publike.

Rrecaj tha për KALLXO.com tha se ndaj këtij vendimi është ankuar mbi të gjitha bazat e mundshme sepse beson se vendimi i Gjykatës Themelore nuk ka qenë i drejtë.

Avokati i Hysni Hoxhës tha se pret që Gjykata e Apelit ta anulojë vendimin e themelores dhe të vendosë në favor të të mbrojturit të tij.

Hysni Hoxha akuzohej se si kryetar i OShP-së nuk shqyrtoi ankesat e dy kompanive për një tender të Operatorit të Transmisionit, Sistemit dhe Tregut më 3 tetor 2014  dhe 9 tetor 2014 në kundërshtim me Ligjin për Prokurimin Publik dhe Rregulloren e Punës së OShP-së, duke i vlerësuar ato të shqyrtuara më parë.

Bëhej fjalë për ankesat e konzorciumeve “Caraglio SRL” dhe NTSh “Electra” të ushtruara kundër vendimit të autoritetit kontraktues KOSTT lidhur me aktivitetin e prokurimit “Instalimi i Grupeve Matëse në Kufirin në mes të KOSTT (KEK) OSSh”,  edhe pse për këtë ankesë kompetent për vendosje sipas aktakuzës ishte paneli shqyrtues i OShP-së në përbërje prej 5 anëtarëve.

Lidhur me këtë aktivitet prokurimi fillimisht ishte raportuar në KALLXO.com, ndërsa   “Jeta në Kosovë”  kishte bërë një emision në tetor të vitit të kaluar ku të ftuar ishin drejtori i prokurimit në KEDS, Hysni Hoxha si kryetar i Organit Shqyrtues të Prokurimit (OShP) dhe Lutfi Gashi përfaqësues i “Electra-s”.

http://kallxo.com/kostt-paguan-400-mije-euro-me-shume-per-nje-tender/

Vlera e këtij aktiviteti të prokurimit ishte 2,327,240 euro.