Mbledhja e Komisionit për Zhvillim Ekonomik | Foto: KALLXO.com

Shqyrtohet Kërkesa e Kompanisë së Clark-ut për Qymyrin

Në Komisionin për Zhvillim Ekonomik do të shqyrtohet sot vendimi i qeverisë për lëshimin e licencës projektit të kompanisë “Envidity Energy Kosova LLC”.

Sipas gazetarit të KALLXO.com tashmë ka nisur mbledhja e komisionit, ndërsa në të po marrin pjesë edhe përfaqësues të AAK-së e Nismës të cilët janë kthyer nga bojkoti i Kuvendit dhe komisioneve i nisur në muajin mars të këtij viti.

Ministri i Financave Avdullah Hoti foli në komision për vendimet e qeverisë lidhur me licencat e paraqitura nga kompania “Envidity…” dhe kompanitë “Sharr Cem” e “Titan America”.

Deputeti i AAK-së Pal Lekaj tha në komision se për vendimin e Qeverisë rreth licencës së “Envidity” “nuk dua që vota ime të jetë pro por kundër”, pasi sipas tij “nuk dihet historiati i kësaj kompanie”.

Deputeti i Nismës Enver Hoti tha se licenca bie ndesh me Ligjin për Miniera dhe Minerale, ndërsa sipas tij ajo nuk duhet të procedohet, por të trajtohet.

Lekaj kërkoi që para shqyrtimit të vendimit për licencat të bëhet debat publik me banorë të zonave qymyrin e të cilave kompania dëshiron ta shfrytëzojë dhe të bëhet studim fizibiliteti i atyre zonave.

Kompania kanadeze “Envidity”, bordi i së cilës drejtohet nga gjenerali Wesley Clark ka kërkuar që t’i lejohet hulumtimi rezervave të qymyrit dhe bitumit në një të tretën e Kosovës.

Kompania synon që nëpërmjet disa metodave të prodhojë naftë nga qymyri kosovar.

Për kërkimin e licencës së “Envidity…” në Komisionin për Miniera dhe Minerale Gazeta jeta në Kosovë botoi një hulumtim më 8 shtator.

Kompania e Wesley Clark Kërkon Monopolin në Qymyrin e Kosovës