Foto: RTV 21

Shqiptarët e Turqisë Festojnë Dhjetëvjetorin e Pavarësisë së Kosovës

Në Ankara, por edhe në qytete tjera të Turqisë, shqiptarët e atjeshëm festuan dhjetëvjetorin e pavarësisë së Kosovës.

Në Ankara dhjetë vjetët e shtetësisë së Kosovës u festuan edhe me paraqitje të disa burrave të veshur me veshje kombëtare dhe që u ngjasonin heronjve shqiptarë Isa Boletini, Sami Frashëri e të tjerë.

Atmosferën nga festimet e shqiptarëve të Turqisë të dhjetëvjetorit të pavarësisë së Kosovës e solli rtv21.tv me anë të një videoje.

Ambasadori i Kosovës në Turqi Avni Spahiu, i pranishëm në festime, tha se ky ishte një rast i mirë për të treguar arritjet e Kosovës dhe për ta falënderuar Turqinë.

“Ishte një rast i mirë për ne si Ambasadë e Kosovës, si Kosovë që të shënojmë dhjetëvjetorin e pavarësisë sonë dhe që të tregojmë edhe të arriturat e Kosovës, por edhe të shprehim falënderimin, mirënjohjen tonë për mbështetjen që shteti turk i ka dhënë Republikës së Kosovës gjatë këtyre dhjetë vjetëve”, tha Spahiu.