Ditmir Bushati, ministër i Punëve të jashtme i Shqipërisë. Foto: MPJ, Shqipëri

Shqipëria Përzë Dy diplomatë Rusë

Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme iu bashkua SHBA-së dhe vendeve Europiane duke përzënë dy diplomatë rusë në Tiranë për shkak se “veprimtaria e tyre nuk përputhet me statusin e tyre diplomatik”.

Dy diplomatë rusë u përzunë nga Shqipëria të hënën, pasi Shqipëria iu bashkua disa vendeve Europiane, SHBA-së, Kanadasë e Ukrainës në një përgjigje të koordinuar ndaj helmimit me gaz nervor të Sergei Skripal, një ish oficer i shërbimit sekret rus i kthyer në agjent të dyfishtë dhe vajzës së tij Julia në Salisburi të Mbretërisë së Bashkuar më 4 mars.

Në një njoftim për shtyp, Ministria tha se Ministri Ditmir Bushati ia komunikoi urdhrin e përzënies ambasadorit të Rusisë në Shqipëri Aleksandër Karpushin.

Ambasada e Rusisë në Tiranë ka një staf diplomatik të akredituar prej 28 zyrtarësh dhe familjarësh të tyre sipas të dhënave të protokollit të shtetit më 2017. Në vitin 2014, Rusia kishte 24 diplomatë në listën e protokollit të shtetit.

Ambasada e Rusisë në Tiranë ka qenë aktive publikisht gjatë viteve të fundit duke kritikuar ato që quan “disinformim dhe gënjeshtra” kundër Rusisë.

Javën e kaluar, ambasada u tall me një deklaratë të Ministrisë së Punëve të Jashtme në lidhje me helmimin e agjentëve.

“Kemi lexuar deklaratën e Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, datë 20 mars 2018, titulli i së cilës konstaton një “sulm kimik të zhvilluar nga Rusia kundër Britanisë së Madhe”” – shkruhej në deklaratë ku qe postuar edhe një foto e faqes së internetit të Ministrisë së Jashtme.

Kemi respekt për specialistët e MEPJ-së dhe nuk kemi asnjë arsye për të vënë në dyshim përgjegjshmërinë e tyre në formulimin e deklaratave zyrtare të dikasterit që përfaqësojnë. Prandaj kemi arsye të besojmë që kolegët tanë shqiptarë duhet të kenë prova të implikimit të Rusisë në helmimin e Sergej Skripal-it dhe vajzës së tij Julia,” vijonte deklarata para se të akuzonte Shqipërinë për “mungesë kompetence” ose për “manipulim të qëllimshëm të opinionit publik”.

Kryeministrja e Britanisë së Madhe Theresa May deklaroi më 12 mars se “kishte shumë gjasa” që shteti rus të kishte orkestruar sulmin,  bazuar kjo në faktin se helmi i përdorur në sulm është një kimikat i zhvilluar nga Bashkimi Sovjetik dhe se Rusia ka përdorur taktika të tilla edhe në të shkuarën. Ministria jonë e Jashtme duket se shkoi pak më tutje duke shkruar në titullin e deklaratës: “dënojmë sulmin kimik të zhvilluar nga Rusia kundër Britanisë së Madhe”. Pas reagimit rus, titulli i deklaratës u ndryshua pa dhënë shpjegime.

Bashkë me Shqipërinë, në përzënien e diplomatëve rusë u bashkuan edhe Kroacia e Rumania.

Marrëdhëniet ekonomike mes Rusisë dhe Shqipërisë janë të vogla. Gjatë vitit 2017, Shqipëria importioi 91 milionë euro mallra nga Rusia, rreth 1.9% të të gjitha importeve. Eksportet e Shqipërisë drejt Rusisë ishin vetëm 0,7 milionë Euro.

27 Mars 2018 - 15:22

Gjergj Erebara | BIRN | Tiranë 27/03/2018 - 15:22
NDËRVEPRIMI0
Prishtina Insight
NA NDIQNI

Send this to a friend