Mitingu përmbyllës në Tiranë i Partisë Socialiste. 22 qershor 2017. Foto: Ivana Dervishi/BIRN

Shqipëria Përjetoi Fushatën më të Qetë Elektorale

Nëse një turist do të vizitonte Shqipërinë këto ditë, ai ose ajo nuk do ta dinte se këtë të diel mbahen zgjedhjet kryesore parlamentare.

Nuk ka posterë elektoralë apo flamuj partish, të cilët zakonisht mbulojnë fasadat e çdo ndërtese përpara zgjedhjeve, sepse këtë herë ato lejohen vetëm gjatë mitingjeve parazgjedhore të partive.

Edhe këto mitingje, si kurrë më parë, kanë kaluar pa fjalime të nxehta dhe shumë zhurmë, për të mos shqetësuar njerëzit që nuk janë të interesuar të marrin pjesë.

“Është hera e parë që nëse nuk sheh televizor, nuk e di se Shqipëria po kalon në fushatë elektorale. Këtë herë fushata nuk ka ndërhyrë me jetën e njerëzve dhe marketingu elektoral ka qenë minimal,’” tha për BIRN Neritan Sejamini, një analist politik dhe redaktor i portalit Exit.

Sejamini theksoi se pa dyshim, kjo fushatë zgjedhore ka qenë një nga më të urtat të mbajtura në vend. Ai shtoi se këtë herë, shumica e partive u mbështetën më tepër te media sesa te tubimet.

Ai lavdëroi faktin se këtë herë politikanët e përfshirë në administratën publike u kufizuan nga pjesëmarrja në fushatë.

Kjo fushatë e qetë dhe jo e zhurmshme është një nga efektet anësore të marrëveshjes politike të mbështetur nga SHBA dhe BE më 18 maj, arritur mes dy liderëve kryesorë Edi Ramës nga PS dhe Lulzim Bashës nga PD.

Kjo marrëveshje i dha fund ngërçit politik dhe siguroi pjesëmarrjen e opozitës në poste kyçe qeveritare që po kujdeset për organizimin e zgjedhjeve, për të garantuar pjesëmarrjen në zgjedhje.

Sipas marrëveshjes, dy liderët u zotuan të qëndrojnë larg fushatave zgjedhore dhe ranë dakord të krijojnë organe qeveritare – përfshirë ministra nga të dyja partitë – që u ngarkuan me monitorimin dhe ndalimin e çdo shkelje gjatë fushatës.

Kodi penal gjithashtu u ndryshua për të shtuar masa të rënda kundër atyre që japin dhe marrin para për votën apo shkelin standardet e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.

Thyerja e heshtjes

Presidenti i zgjedhur, Ilir Meta, duke hyrë në Konventen e LSI, ku u zgjodh kryetari i i ri i kësaj partie, Petrit Vasili | Foto : LSA

Megjithatë, këto masa nuk parandaluan çdo incident.

Më 20 qershor, Lëvizja Socialiste për Integrim, LSI, partia në koalicion me qeverinë aktuale, paditi Edi Ramën, kryeministrin aktual dhe liderin e Partisë Socialiste në koalicion me LSI.

Në padi, LSI gjithashtu kërkoi që Rama të kontrollohej nga doktorë që ata të konfirmojnë nëse ai është apo jo i aftë të kryejë punën.

Padia u lidh me një deklaratë nga Rama gjatë një fushate zgjedhore më 16 qershor, ku ai i bëri thirrje oficerëve të Policisë të bëjnë fushatë për PS pas pune.

Deklarata në thelb i nxiti ata të shkelin ligjin që ndalon Policinë nga pjesëmarrja në fushatat elektorale të partive, edhe pas orëve të punës. Të nesërmen, Rama kërkoi falje duke thënë se ishte gabim.

LSI gjithashtu i akuzoi socialistët e Ramës se kanë nxitur dhunë kundër mbështetësve të saj.

Pasi Gjovalin Gjini, kryetari i LSI në fshatin Rraboshtë u rrah nga katër persona të paidentifikuar më 16 qershor, përfaqësuesit vendorë të LSI akuzuan Partinë Socialiste si të fshehur pas sulmit.

Situata u nxeh më 17 qershor kur ish-kryetari i LSI dhe presidenti Ilir Meta vizitoi vetë Gjinin.

Meta i kërkoi fshatarëve të armatosen nëse Policia nuk identifikon dhe sjell përpara drejtësisë fajtorët.

“Të gjithë banorët do të armatosen nëse policia nuk i vë zinxhirin këtyre qenërve,” tha Meta pa e përmbajtur zemërimin.

Pak orë pas incidentit Policia lëshoi një deklaratë ku konfirmoi sulmin, por shtoi se një hetim paraprak tregonte se sulmi nuk ishte i motivuar politikisht.

Përfaqësues të PS në zonë gjithashtu u distancuan nga sulmi.

Incidenti pasoi dy raportime të mëparshme të LSI ku ankohej për sulme ndaj mbështetësve të saj dhe fajësim të Policisë për dhunë. Policia theksoi se po i hetonte çështjet.

Të enjten, media vendase raportoi se dy gra që punonin në një qendër mjekësore në qytetin lindor të Ersekës ishin përfshirë në një grindje që pretendohej se ishte e motivuar politikisht, ku njëra mbështeste LSI dhe tjetra PS.

Sejamini, redaktori i Exit, sheh mundësi për incidente të tjera mes mbështetësve të PS dhe LSI.

Ai tha se beson se liderët e dy partive duhet të ndalojnë grindjet për të mos përshkallëzuar në dhunë.

“Ka një rivalitet të fortë dhe ndjenja armiqësie mes tyre dhe kjo mund të sjellë incidente të rrezikshme në zona të izoluara,” tha ai.

Por Skënder Minxhozi, kryeredaktor i portalit Java News, tha për BIRN se sipas tij, ankesat e LSI janë pjesë e strategjisë parazgjedhore.

“Mesazhe si ‘po sulmohemi fizikisht sepse jemi të fortë’ duken si lëvizje elektorale”, tha ai, duke shtuar se askush nuk mund të parashikojë nëse situata do të mbetet paqësore dhe e qetë deri në fund të zgjedhjeve.

Sejamini theksoi se një fushatë e tillë e qetë dhe mungesa e presionit politik mund të motivojë votuesit të marrin pjesë në zgjedhje në shifra më të larta.

“Megjithatë, Policia duhet të ketë vërtet kujdes dhe të angazhohet gjatë këtyre ditëve,” tha ai, ndërsa përfundoi: “nuk i dihet kurrë si shkojnë këto gjëra”.