Shqipëri: Konfiskohen 17 Tonë Drogë

Policia shqiptare kreu disa arrestime, mes të cilëve, punonjës të policisë dhe zyrtarë të ulët si dhe konfiskoi armë e një sasi të jashtëzakonshme droge në operacione të organizuara në krahinën e Vlorës , në Përmet, në Tiranë si dhe në Kukës e Përmet.

Në një seri njoftimesh të publikuara përgjatë 24 orëve të fundit, policia bëri të ditur për sekuestrime marijuane të tharë nëpër magazina si dhe për shkatërrimin e disa plantacioneve të reja në zona të thella malore.

Operacioni më i madh u zhvillua në Vlorë, ku në fshatin Llakatund,12 kilometra në veri të qytetit, policia angazhoi Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë dhe forcat e Shërbimit të Çështjeve të Brendshme dhe Ankesave krahas forcave të policisë lokale për të sekuestruar rreth 15 tonë kanabis dhe për të arrestuar nëntë të dyshuar, mes të cilëve, një kryeplak dhe dy punonjës policie.

Zakonisht një kilogram drogë shitet në Shqipëri për rreth 300 euro ndërsa në Itali çmimi mund të arrijë në mijëra euro në tregun me shumicë dhe në rreth 7 mijë euro në tregun me pakicë në vende të ndryshme të Europës.

Sipas njoftimit për shtyp të policisë, kontrollet e ushtruara në tre banesa në Llakatund sollën zbulimin e njërës prej sasive më të mëdha të marijuanës të kapur në Shqipëri ndonjëherë. Policia thotë se kishte sinjalizime për përdorimin e mundshëm të këtyre banesave si magazina droge.

“Gjatë operacionit, duke qenë se hetimi nxori se në këtë veprimtari kriminale ishin implikuar edhe punonjës policie, veprimet proceduriale për punonjësit e Policisë janë kryer në bashkëpunim me SHÇBA-në, për arrestimin e tyre”, thuhet në njoftimin e policisë.

Dhërbimet e policisë gjetën drogë nëpër dhoma, në formë të presuar dhe çokollate, të ndara nëpër pako dhe thasë plastikë të zinj. Bashkë me drogën u zbuluan tre makineri që shërbejnë për ngjeshjen e lëndës narkotike, përbërës kimikë si dhe vaj hashashi. Vaji i hashashit është produkt i krijuar nga distilimi i marijuanës përmes proceseve të ndryshme mekanike e kimike dhe shërben për të ulur përmasat e drogës për transport. Vaji i hashashit shitet shumë më shtrenjtë dhe përdoret nga konsumatorët duke u përzjerë me duhan të zakonshëm.

Policia kreu kontrolle edhe në shtëpitë e punonjësve të policisë së arrestuar, ku u zbulua gjithashtu drogë.

“Në banesën e Inspektorit të Policisë L. L., në oborr, u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, 270 bimë të mbjella, të dyshuara si Cannabis Sativa”, thuhet në njoftim. Ai u arrestua bashkë me të vëllain. Edhe një inspektor tjetër në Komisariatin e Policisë së Vlorës u arrestua për shpërdorim detyre. Ndërkohë, kryeplaku 69 vjeçar i fshatit Drithas, u arrestua, por është i dyshuar për moskallëzim krimi dhe jo për posedim apo kultivim droge. Sipas ligjit shqiptar, kryepleqtë konsiderohen përgjegjës në rast se në fshatrat e tyre kultivohet drogë.

Nga fotografitë e publikuara nga Policia e Shtetit, dallohet se policisë iu desh të përdorte kamionë për transportimin e drogës së kapur. Vetëm pak orë mbi njoftimin e kapjes së 15 tonëve, një njoftim tjetër i policisë bëri të ditur se nga kontrolli i zonës përreth magazinave u gjetën edhe rreth 600 tonë drogë të tjera e fshehur nëpër shkurre.

Në Tiranë, mbrëmjen e së enjtes, policia arrestoi dy persona, shpalli në kërkim një të tretë si dhe sekuestroi 60 kilogramë marijuanë. Sipas njoftimit të policisë, dy nga tre të dyshuarit janë banues në fshatin Larushk pranë Aeroportit të Rinasit. Policia thotë se ndaloi për kontroll një njëzetvjeçar te Pallati me Shigjeta në Tiranë dhe i gjeti një sasi lënde të dyshuar narkotike prej 3.5 gramësh marijuanë në xhep. Më pas, një makinë e markës KIA u ndoq ndërsa udhëtonte nga Tirana për në fshatin Larushk, ku në banesën e një të dyshuari të dytë, u gjetën tre fuçi plastike të mbushura me marijuanë.

Gjatë ditës së enjte, policia e Shkodrës kreu kontrolle nga toka dhe ajri në zonat e thella malore të njësisë adminstrative Pult, ku identifikoi 1785 bimë të reja të dyshuara Kanabis Sativa të mbjella në parcela toke të hapura në mes të pyjeve. Policia nuk njoftoi arrestime në këto raste dhe deklaroi se po punon për identifikimin e përgjegjësve për mbjelljen e kanabisit. Po të enjten, në Tropojë u identifikuan dhe u dogjën rreth 120 rrënjë kanabis nga mbjelljet e reja.

Shqipëria përjetoi një rritje dramatike të prodhimit të kanabisit gjatë vitit të kaluar nga veriu në jug ndërkohë që qeveria u përball me kritika për paaftësi dhe për tolerim të kultivimit në shkallë të gjerë të lëndëve narkotike. Policia shqiptare si dhe ajo italiane e greke kanë sekuestruar gjatë vitit të kaluar sasi rekord droge në një numër të madh operacionesh, duke reflektuar përhapjen e gjerë të kultivimit. Mbjelljet e marijuanës këtë vit supozohet se janë krahasimisht shumë më të ulëta se sa vitin e kaluar, kryesisht për shkak se mbjelljet e vjetshme kanë krijuar rezerva të stërmëdha kanabisi të fshehura gjithkund.