Arkiv: Komisioneri Johanes Hahn. Foto: Shërbimi Audiovizual i Komisionit Europian.

I ‘Shqetësuar’, Hahn i Shkruan Letër Popullit Shqiptar

Me një veprim të paprecedent, komisioneri për Fqinjësi dhe Zgjerim, Johannes Hahn, i dërgoi sot një letër të hapur popullit shqiptar duke konsideruar fajtore Partinë Demokratike dhe opozitën për krizën në të cilën gjendet Shqipëria si dhe duke paralajmëruar se BE “do të mbajë përgjegjëse udhëheqësit nëse ata përpiqen të pengojnë aspiratat e ligjshme të popullit shqiptar për një të ardhme më të mirë”.

Letra, e shpërndarë nga faqja zyrtare e Komisionit Europian ëlink] është nga rastet e rralla kur një zyrtar i BE-së anashkalon zyrtarët shqiptarë për t’iu drejtuar popullit.

Shqipëria hyri në një situatë të paprecedent zgjedhore për shkak se Partia Demokratike në opozitë dhe aleatët e saj deklaruan bojkotin e Parlamentit në shkurt të këtij viti dhe bojkotin e zgjedhjeve të 18 qershorit.

Një numër ndërmjetësish ndërkombëtarë erdhën në Tiranë gjatë javëve të fundit me shpresë se do të lehtësojnë arritjen e një marrëveshjeje në bazë të së cilës, qeveria duhej të plotësonte një pjesë të kërkesave të opozitës që lidhen me garancitë për zhvillimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme ndërsa opozita duhej të votonte procesin e vetingut të gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe të garonte në zgjedhje.

Të gjitha përpjekjet për ndërmjetësim dështuan, ndërsa Hahn në letrën e tij bën të ditur se ka humbur shpresat për një kompromis dhe se zgjedhjet do të duhet të zhvillohen pa pjesëmarrjen e opozitës, për herë të parë që nga vendosja e jetës politike shumëpartiake në Shqipëri në vitin 1991.

PD dhe PS ia kanë hedhur fajin njëra-tjetrës përgjatë javëve të fundit në diskutime publike për mosarritjen e një kompromisi, por Hahn bëri të ditur në letër se opinioni i tij është që fajin e ka Partia Demokratike.

“Shumë përpjekje janë bërë për të promovuar dialogun”, shkroi Hahn, duke vërejtur se pavarësisht përpjekjeve, rezultati është i njëjtë dhe se sot situata duket qartë se Shqipëria “do të duhet të shkojë në zgjedhje pa partitë kryesore të opozitës”. Por Hahn vëren gjithashtu se faji për këtë i përket opozitës.

“Qe një zgjedhje e qëllimshme nga opozita aktuale për të mos hyrë në zgjedhje”,  shkruan ai. “Mua më duhet ta respektoj, por në të njëjtën kohë, më vjen shumë keq për këtë vendim nga pikëpamja e demokracisë. Shqiptarët kërkojnë dhe meritojnë zgjedhje që të ofrojnë ofertë të gjerë politike dhe standarde zgjedhore”,  shkroi Hahn. “Procesi demokratik duhet të vijojë, edhe nëse disa vendosin të qëndrojnë pas.”

Partia Demokratike në opozitë ka deklaruar se ka ndër mend të vijojë me organizimin e një fushate të mosbindjes civile me synimin e rrëzimit të Qeverisë, duke filluar nga kjo e shtunë, kur pritet të organizohet një protestë në Tiranë.

Zyrtarë të ndryshëm të Qeverisë kanë shprehur shqetësimet se opozita po përgatitet për akte të dhunshme. Hahn, në letrën e tij nuk e fsheh frikën se diçka e tillë mund të ndodhë.

“…Më lejoni të jem i qartë në një gjë: Unë dënoj ashpër çdo njoftim për thirrje për “veprime” që mund të cenojnë të drejtën e çdo shtetasi për të votuar dhe liritë e tjera themelore. “Veprime” të tilla nuk mund të justifikohen dhe nuk janë në përputhje me standardet e Bashkimit Europian”,  shtoi ai.

Bashkimi Europian dhe faktori ndërkombëtar në tërësi ka bërë të ditur se zgjedhjet e 18 qershorit do të trajtohen si zgjedhje të zakonshme, pavarësisht se letra e hapur e Hahn për popullin shqiptar vë në dukje seriozitetin e situatës së vajtjes në zgjedhje praktikisht me vetëm një palë dhe pasojat që mund të krijojë vakum politik nga mungesa e opozitës.

Opozita kërkon mes të tjerash shtyrjen e zgjedhjeve të 18 qershorit, një gjë që ka ndodhur vetëm dy herë në historinë post-komuniste të Shqipërisë, në vitin 1991 dhe në vitin 2007, por që konsiderohet e pazakontë dhe shumë e rëndë për BE-në.

Duke komentuar mbi mungesën e zgjedhjeve në Kavajë, ku opozita fillimisht bojkotoi dhe më pas kërcënoi me protestë në ditën e zgjedhjeve, pasuar nga vendimi i Qeverisë për t’u tërhequr nga gara, Hahn theksoi se fakti që zgjedhjet nuk u zhvilluan nuk përbën fitore as për maxhorancën dhe as për opozitën, por përbën një humbje të qartë për demokracinë.

Bojkotimi i Parlamentit, e cila është bërë një gjë e zakonshme nga të gjitha palët politike në Shqipëri përgjatë dy dekadave të fundit, konsiderohet gjithashtu një veprim i papranueshëm në Europë. “…është vlerë themelore europiane që idetë dhe propozimet politike – pavarësisht nëse të pëlqejnë apo jo – duhet të diskutohen brenda institucioneve demokratike, mbi të gjitha në Kuvendin e Shqipërisë”,  shkroi Hahn.

Hahn e nis letrën e tij drejtuar shqiptarëve me fjalët: “Po ju shkruaj shumë i shqetësuar” dhe e mbyll duke premtuar se mbështetja e BE-së për popullin shqiptar do të vijojë e palëkundur.