Foto-ilustrim - Foto: KALLXO.com

Shqetëson Rritja e Numrit të Rasteve të Dhunës në Familje

Dhuna në familje në Kosovë vazhdon të mbetët dukuri shqetësuese.

Sevdije Berisha nga Peja gjeti vdekjen pasi u godit nga bashkëshorti me sëpatë. Rasti ka ndodhur më 17 nëntor të vitit të kaluar.

Por, janë edhe pesë gra të tjera që vdiqën si pasojë e dhunës në familje.

Policia e Kosovës nga janari deri në fillim të dhjetorit të vitit që shkoi ka evidentuar 1,196 raste të dhunës në familje.

Prej këtyre rasteve në prokurori janë proceduar 1,134 raste.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani, tha se në vitin 2017 kanë evidentuar më shumë raste të dhunës në familje në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

Ndërsa, aktivistja e Rrjetit të Grupit të Grave në Kosovë, Adelina Berisha, e sheh shqetësues faktin se të dhënat zyrtare nuk e tregojnë tërësisht realitetin.

“Statistikat tregojnë se dhuna ëshhtë mjaft e shprehur në shoqërinë kosovare dhe në format më të ashpra të mundshme. Muajve të fundit i kemi pasur dy raste të vrasjes si pasojë e dhunës në familje. Shqetësues është fakti se statistikat nuk e tregojnë plotësisht realitetin. Ne besojmë se numri i viktimave dhe personave që përjetojnë dhunë në familje është më i madh se ky që është paraqitur tek institucionet”, tha Berisha.

Ndërsa, sociologët thonë se arsyeja pse po ndodh dhuna në familje është sidomos mungesa e komunikimit të mirëfilltë mes bashkëshortëve, papunësia, varfëria dhe mungesa e zbatimit të ligjit.

Raportin video mund ta ndiqni në këtë link. /21Media