Diskutimi rreth Ligjit për Investime Strategjike | Foto: KALLXO.com

Shpjegohet Ligji që Pritet të Sjellë Investime

Në një tryezë diskutimi të organizuar nga Oda Amerikane dhe Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, u fol rreth Ligjit për Investime Strategjike dhe përfitimeve që pritet të dalin prej tij.

Ministrja Hykmete Bajrami  tregoi se ligji u hartua duke analizuar mangësitë e Kosovës për tërheqje të investimeve të huaja në raport me shtetet fqinje.

“Me marrjen e mandatit ne kemi bërë një analizë të shkurtër se ku qëndron Kosova në raport me vendet e rajonit në tërheqjen e investimeve të huaja dhe ne kemi parë se ku kemi mangësi dhe shumë çështje kemi adresuar dhe njëra prej tyre ka qenë pikërisht mospasja mundësi për të negociuar drejtpërdrejt me investitorë,” tha Bajrami.

Bajrami tregoi më tutje se ligji parashikon pikërisht negocimin e drejtpërdrejtë të qeverisë me investitorët.

Era Jashari përfaqësuesja e Oda Ekonomike Amerikane se ky ligj që nga aprovimi i tij është përcjellë me komente dhe shqetësime të shumta rreth asaj se a e garanton një transparencë dhe një llogaridhënie të plotë të qeverisë.

Ministrja Bajrami tregoi se grupi që sipas ligjit do të negociojë me investitorët strategjikë do të jetë i zgjeruar.

“Kemi bërë një grup më të gjerë në mënyrë që të shpërndahet përgjegjësia dhe të jemi sa më llogaridhënës,” tha Ministrja Bajrami.

Sipas ligjit negociatat me investitorët e mundshëm do të kryhen nga një grup prej nëntë anëtarësh ku bëjnë pjesë Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Ministri i Financave, Ministri i Mjedisit Hapësinor, Ministri i Zhvillimit Ekonomik dhe një ministër nga Komuniteti joshumicë në Kosovë, Kryetari i Komunës në të cilën zhvillohet projekti strategjik dhe avokati i përgjithshëm shtetëror.

Ligji për Investime Strategjike nga Lista Serbe ishte dërguar për vlerësim kushtetutshmërie në Gjykatën Kushtetuese në tetor të vitit të kaluar, por Kushtetuesja më 1 shkurt ligjin e vlerësoi në pajtim me kushtetutën.

http://kallxo.com/simiq-ligji-per-investime-e-ben-te-pakuptimte-asociacionin/

Gazeta Jeta në Kosovë në gusht të vitit 2015 kishte siguruar Projektligjin për Investime Strategjike me nenin 18 të të cilit parashikohej edhe shpronësimi i pronave private, nëse ato ishin me interes për investitorët strategjikë, por ligji i aprovuar tash lidhet vetëm me prona publike.

Ligji i Rrezikshëm i Qeverisë Mustafa

Redaktoi: Bekim Muhaxheri