Ilustrim: Fara për fermerët

Shpërndahet farë misri për 500 fermerë ferizajas

Drejtoria e Bujqësisë shpërndau farë misri për 500 fermerë të Ferizajt.

Drejtori i Bujqësisë dhe Pylltarisë në Ferizaj Burim Bajrami, sipas një njoftimi të komunës tha se planifikohet që me këtë kulturë të mbillen 1 mijë hektarë.

“Kanë qenë 20 mijë euro të ndara për kulturën e misrit që nga viti i kaluar, ndërsa sot ne po bëjmë shpërndarjen e farës së misrit. Planifikimi i vitit të kaluar ka qenë që të investohet në 400 hektarë tokë me misër, edhe pse kërkesat kanë qenë të jashtëzakonshme, ndërsa ne kemi bërë të mundur që me këtë të investohet në rreth 1 mijë hektarë tokë”, tha Bajrami.

Ai premtoi që në të ardhmen do të ndahet më shumë farë misri.

Unë i kuptoj bujqit për këtë sasi të vogël, por konsideroj së viteve të ardhshme do të jemi më seriozë dhe në bazë të sipërfaqeve të kërkuara ne do të bëjmë planifikimin për fermerët ferizajas”, tha drejtori, sipas njoftimit.

Fermerët, gjithnjë sipas njoftimit të komunës, falënderuan për farën duke konstatuar se kjo është ndihmë e madhe për ta.

Drejtoria e Bujqësisë paralajmëroi në njoftim se ditëve në vijim do të shpërndajë fidanë të arrës, por edhe materiale për serra.