Shpërfaqen Problemet e Prokurimit Elektronik

Këto sfida janë përmendur në tryezën e organizuar nga Ministria e Financave dhe Projekti i USAID-it.

Stephen Carpetener, drejtori i projektit të USAID-it “Komunat Transparente, Efektive dhe Llogaridhënëse” (TEAM) Stephen Carpenteer, theksoi se projekti i USAID-it (TEAM) ka për qëllim të mbështesë Qeverinë dhe KRPP-në në implementimin e projektit të prokurimit elektronik.

“Aktivitetet e USAID Team janë duke ardhur për të ndihmuar Qeverinë e Kosovës, KRPP-në, në veçanti për të përfunduar me sukses implementimin e prokurimit elektronik”, tha Carpetener.

Ai më tej tha se ky takim është hapi i parë për të kuptuar plotësisht sfidat e sistemit elektronik dhe për të filluar koordinimin e aktiviteteve.

Zëvendësministri i financave Agim Krasniqi tha se bartësit e projektit të USAID-it do të kenë mbështetje maksimale nga kjo ministri në mënyrë që të arrihen rezultate të prekshme në prokurim.

“Ministria e Financave është e gatshme të mbështesë me të gjitha kapacitetet e veta në çdo kohë bartësit e këtij projekti duke pritur njëkohësisht që rezultatet të jenë të shkëlqyeshme dhe ashtu siç ka qenë deri tash nga projektet e mbështetura nga USAID”, tha Krasniqi.

Implementimi i plotë i sistemit elektronik të prokurimit pritet t’i kursejë buxhetit të Kosovës mbi 10 milionë euro.

Kreu i Komisionit Rregullativ për Prokurim Publik (KRPP) Safet Hoxha tha se tashmë janë regjistruar mbi 2 mijë kompani në sistemin elektronik, si hap i parë që ato të mund të konkurrojnë për të marrë kontrata nga institucionet publike.

“Janë realizuar 150 autoritete nga 174 sa janë gjithsej. Janë regjistruar më shumë se 2 mijë e 100 operatorë ekonomikë nga Kosova dhe operatorë ekonomikë jashtë Kosovës, janë regjistruar më shumë se 4 mijë e 200 përdorues në role dhe qasje të ndryshme në procesin e prokurimit, janë realizuar më shumë se 9 mijë e 700 procedura të prokurimit deri në këto momente”, njoftoi kryetari Hoxha.

Por, ai tha se autoritetet kontraktuese ende kanë hezitim të përdorin sistemin elektronik.

“Sfidë mbetet menaxhimi i ndryshimeve dhe zhvillimeve, pra zhvillimi i procesit të prokurimit nga forma klasike në formën elektronike, sepse ky ndryshim, përtej qasjes psikologjike, efekteve që krijon, ka një hezitim edhe nga autoritetet edhe nga kompanitë sikur janë mësuar me formën tradicionale dhe klasike të prokurimit”, tha ai.

Si ngecje që duhet të tejkalohen, Hoxha e përmendi mbingarkesën e sistemit në kohën e procesit të hapjes së ofertave, ndërrimin e shpeshtë të zyrtarëve nëpër autoritete kontraktuese, si dhe trajnimin jo të duhur i zyrtarëve të prokurimit në sektorin privat.

Përveç kursimit të mjeteve, sistemi elektronik, sipas Hoxhës do të ndikojë në rritje të transparencës dhe minimizim të rasteve të korrupsionit.