Nxënësit që fituan garat e kimisë dhe bilogjisë | Foto: KALLXO.com

Shpërblehen ‘Shkencëtarët e Rinj’

Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë i ka shpërblyer nxënësit e shkollave të mesme të Prishtinës të cilët kanë fituar vendet e para në garat e lëndës së kimisë dhe biologjisë.

Vendeve të para iu ndanë mirënjohje dhe një shpërblim monetar.

Dy nxënësit që kanë marrë vendin e parë lëndën e biologjisë dhe kimisë morën nga 300 euro, dy nxënësit në vendin e dytë u shpërblyen me nga 200 euro dhe dy vendet e treta me nga 100 euro.

Fituesit e vendit të parë ishin Artin Sermaxhaj për lëndën e kimisë nga shkolla e mesme “Xhevdet Doda” dhe Jeta Dumnova për lëndën e biologjisë nga shkolla e mesme “Sami Frashëri”, fituesit e vendit të dytë ishin Medina Kçiku nga shkolla e mesme “Sami Frashëri” dhe Vanesa Lupçi nga shkolla e mesme “Xhevdet Doda” kurse fituesit e vendit të tretë ishin Agona Gashi dhe Kaltrina Lahu, të dyja nxënëse të shkollës së mesme “Xhevdet Doda”.

Arsimi Bajrami, Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë me rastin e ndarjes së shpërblimeve tha se përmes këtyre shpërblimeve po i motivojnë këta të rinj që t’i tregojnë aftësitë e tyre.

“Ky është një aktivitet që të gjithëve na bën krenarë që këtu kemi të rinj shumë inteligjentë, të rinj të cilët kanë ëndrra që nesër të bëhen ndoshta edhe liderë të së ardhmes”, tha Bajrami.

Ministri tha më tutje “kemi një rini me të cilën duhet të mburremi dhe kemi një obligim kombëtar dhe shtetëror ndaj kësaj rinie për një edukim pozitiv, një edukim frymëzues”.

Jeta Dumnova, fituese e vendit të parë në lëndën e biologjisë, nga shkolla e mesme “Sami Frashëri” falënderoi Ministrinë e Arsimit dhe Drejtorinë e Arsimit të Komunës së Prishtinës që ua kanë dhënë mundësinë t’i testojnë njohuritë e tyre dhe për këtë edhe të shpërblehen.

Drejtoresha e Arsimit në komunën e Prishtinës, Arbërie Nagavci tha se Artin Sermaxhaj e ka fituar 12 herë vendin e parë në lëndën e kimisë.

“Artini është veteran i vendit të parë, 12 herë deri sivjet e ka marrë çmimin e parë” tha Nagavci.