Shpend Ahmeti. Foto: Kallxo.com

Shpend Ahmeti: Zhvillimet në VV Nuk Janë Bash Normale

Kryetari i komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, i ka quajtur jonormale zhvillimet e muajit të fundit në Lëvizjen Vetëvendosje, parti të cilës i takon edhe vetë.

Ahmeti foli sot për dorëheqjet e njëpasnjëshme të anëtarëve të kryesisë së kësaj partie, ndërsa paralajmëroi takime tjera të organeve drejtuese të partisë për t’i adresuar problemet e grumbulluara.

“Janë çështje të cilat ende po diskutohen brenda organeve. Kemi pasur edhe një mbledhje të kryesisë. Besoj do të ketë edhe një mbledhje tjetër të kryesisë dhe grupit parlamentar që të diskutohen edhe një herë”, tha Ahmeti pas takimit të sotëm në komunën e Prishtinës me kryeministrin Ramush Haradinaj.

“Mendoj se ka ndodhë një keqinterpretim që dorëheqjet nga pozitat janë interpretuar si dorëheqje edhe nga Vetëvendosje. Deri më tani, të gjithë këta që kanë dhënë dorëheqje, mbeten anëtarë dhe aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje dhe për mua nuk është bash normale ajo që po ndodh në Vetëvendosje, megjithatë është e drejtë e secilit që të vendosë në atë se a don të mbajë pozitë udhëheqëse apo jo, a duan të jenë anëtarë të kryesisë apo jo”, tha ai.

“Besoj që tëra këto çështje do të diskutohen dhe do t’ju mbajmë të informuar rreth ndryshimeve apo ngjarjeve që ndodhin në Lëvizje”, shtoi Ahmeti.