Kryetari i Komunës së Prishtinës Shpend Ahmeti - Foto: Facebook

Shpend Ahmeti Tregon 4 Përfitimet e Ligjit për Prishtinën

Kryetari aktual i komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, pak minuta pasi qeveria miratoi projektligjin për Prishtinën, premtoi se do të punojë me deputetët dhe qeverinë që “rezultati përfundimtar i Ligjit të jetë sa më i mirë për kryeqytetin tonë”.

Ahmeti, i cili garon në zgjedhjet e 22 tetorit edhe për një mandat në krye të Prishtinës, tha se ky ligj ka katër pika kryesore.

“Buxhetin shtesë ne vlerën prej 4 përqind të grantit të përgjithshëm për komunat; Të drejtën e themelimit të ndërmarrjeve publike komunale pa aprovime shtesë nga qeveria; shëndetësinë sekondare apo Spitalin e Qytetit dhe Drejtorinë e Policisë Komunale brenda Policisë së Kosovës që do të merret me Prishtinën”, tha Ahmeti.

Më herët Qeveria e Kosovës e miratoi Projektligjin për Prishtinën, duke i dhënë fund zvarritjeve disavjeçare të këtij dokumenti.

Në mbledhjen e sotme të qeverisë, kryeministri Ramush Haradinaj tha se qëllimi i këtij projektligji është rregullimi dhe funksionimin e kryeqytetit.

“Ky projektligj bazën ligjore e ka në Kushtetutën e vendit. Ligji për Vetëqeverisje Lokale aplikohet edhe për kryeqytetin”, tha Haradinaj.

Ndërsa ministri i Financave, Bedri Hamza foli për koston buxhetore të këtij ligji.

“Ky projektligj do ta ketë edhe koston e vet buxhetore. Ne do ta marrim edhe buxhetimin e kostos reale buxhetore, që mos të jetë ngarkesë dhe do ta shpërndajmë nëpër vite buxhetore”, tha ministri Hamza.