Autobusët që do të vijnë në Prishtinë | Foto: Facebook

Shpend Ahmeti: Sot Vijnë Autobusët e Parë

Shpend Ahmeti në konferencën e fundvitit të Komunës së Prishtinës tha se disa nga autobusët e prodhuar në Çeki për “Trafikun Urban“ do të vijnë sot.

“Sot vijnë autobusët e parë në Prishtinë. Shpresoj të mos kemi probleme udhës,” tha Ahmeti.

Ai tregoi se nënkryetari i Komunës së Prishtinës Dardan Sejdiu ka dalë për t’i pritur autobusët në kufi.

Ahmeti dy ditë më parë në Facebook publikoi fotografi të autobusëve që ende nuk ishin nisur drejt Kosovës. Ai kishte thënë më herët se autobusët do të vijnë deri në fund të vitit.

Këta autobusë ishin politizuar tejmase dhe ishin bërë mollë sherri mes autoriteteve të Prishtinës dhe atyre të Qeverisë.

Çështja e 51 autobusëve që u blenë me një kredi të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, u zvarrit për më shumë se një vit, pasi Komuna e Prishtinës kërkonte që garancinë për këtë kredi ta jepte Ministyria e Financave, ndërsa kjo ministri kërkonte që komuna ta jepte garancinë për autobusët në rast se “Trafiku Urban” nuk mund t’i paguante ata.

Çështja u zgjidh kur komuna e dha këtë garanci për BERZH-in.

Shkrimet për autobusët e Prishtinës në KALLXO.com mund t’i lexoni këtu.