Ilustrim

Shpend Ahmeti Publikon “Fshehtësitë” e Naftës

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti edhe të mërkurën ka vazhduar publikimin e dokumenteve në lidhje me skandalin e naftës dhe mosreagimin e prokurorisë për siç thotë ai.

Publikimin e dokumenteve në faqen e tij zyrtare Facebook, Ahmeti e ka quajtur “Fshehtësia Zyrtare nr. 2”.

Në këto dokumente shihet raporti i kompanisë kroate “Saybolt Adriatica” për naftën, raport ky që sipas Ahmetit është kërkuar nga Prokuroria Themelore e Prishtinës.

“Sot publikojmë fshehtësinë zyrtare nr. 2, 17 analiza të porositura nga prokuroria tek kompania kroate e licencuar në Kosovë ‘Saybolt Pan Adriatica’ e cila i analizon raportet e 17 shkollave të mostruara nga prokuroria e të analizuara nga Kosova LAB. Raporti tre faqesh është në gjuhën kroate. (përkthimi i fjalisë së nënvizuar është “niveli i lartë i sulfurit tregon se NUK BËHET fjalë për DIZEL”)”, shkruan Ahmeti.

I pari i Prishtinës thotë se pas diskutimeve me policin hetues emrin e të cilit nuk e ka bërë publik, këto materiale kanë pas bazë që të ngritët menjëherë aktakuzë në shkurt.

“Pyetja shtrohet se pse këtij hetuesi pastaj iu vendos një mbikëqyrës, dhe pse dikush ka ndaluar zgjerimin e hetimeve për këtë rast në prokurori”, shkruar Ahmeti duke dashur të dijë se përse ka ndodhur kjo me policin hetues.

Ahmeti shkruan se pas këtij rasti, arsyetimet e kompanisë ishin se rezervuarët e Prishtinës janë të vjetër dhe kanë treguar sasi të larta të sulfurit.

“Por ka shumë fakte që rrëzojnë këtë teori. Ka rezervuare të reja në Prishtinë që asnjëherë nuk ka pas naftë tjetër dhe prapë kanë pas sulfur të lartë, si dhe fakti që kompania ka dorëzuar naftë pas zbulimit të skandalit në disa shkolla dhe çuditërisht në ato shkolla nafta e re na del me cilësi më të madhe se në Holandë”, shkruan Ahmeti.

Kryetari i Prishtinës thotë se për shkak se bëhet fjalë për nivel të lartë të sulfurit, dhe për shkak se bëhet fjalë për një operator të madh të naftës, prokuroria ka pas edhe detyrë të hetimit sa më të shpejtë për shkak të rrezikimit të përgjithshëm në Kosovë.

“Edhe njëherë po e përsëris. Në emër të interesit publik dhe luftës kundër keqpërdorimeve e korrupsionit, duhet ti publikojmë derisa në Kosovë me të vërtetë të vendosim të kemi shtet e institucione”, ka shkruar në profilin e tij Ahmeti.

Udhëheqësi i komunës së Prishtinës, publikimet e para të dokumenteve në profilin e tij zyrtar i ka bërë një ditë më parë. Sipas tij, këto dokumente Prokuroria Themelore në Prishtinë ia kishte ndaluar t’i publikonte.

“Unë nuk do të nënshkruaj kurrfarë kontrate me kompaninë e cila nuk na dha naftë por lëndë të rrezikshme. Së paku jo derisa prokuroria të mos deklarohet në këtë rast skandaloz”, tha Ahmeti në ditën kur filloi publikimin e dokumenteve në lidhje me naftën.

Ahmeti paralajmëroi se do të vazhdoj me publikimin e dokumenteve ku sipas tij do të shpjegojnë mënyrën e funksionimit të një klase politike dhe po ashtu do t’i publikojmë edhe vlerat financiare për të cilat bëhet fjalë.

Materialet e publikuara, Ahmeti thotë se do t’i dorëzohen bashkësisë ndërkombëtare, përfaqësuesve të ambasadave, për të kuptuar edhe ata se “çka po mbështesin dhe në çka kanë shpenzuar qindra miliona euro gjoja në emër të luftës kundër krimit”.