Shpend Ahmeti pasi doli nga mbledhja e VV-së. Foto: Kallxo.com

Shpend Ahmeti kryetar i PSD-së

Kuvendi i Partisë Socialdemokrate (PSD) ka zgjedhur Shpend Ahmetin kryetar të kësaj partie.

Nënkryetar i saj është zgjedhur Visar Ymeri ndërsa serketare e përgjithshme Aida Dërguti.

Lajmin e ka bërë të ditur Dardan Molliqaj.

“Në këtë mbledhje u zgjodh edhe Këshilli Drejtues i partisë si dhe morëm vendim që PSD të tërhiqet nga koalicioni i lidhur me PAN para zgjedhjeve të fundit parlamentare”, ka thënë Molliqaj në profilin e tij në “Facebook”.

Zgjedhja e kryetarit të Prishtinës në krye të PSD është bërë larg syrit të mediave.

Kjo parti kishte njoftuar se votimi do të mbahej sot duke filluar në ora 17:00.

Rreth gjysmë ore më herët, anëtari tjetër i Partisë Socialdemokrate, Fisnik Ismaili, e uroi Ahmetin por pa treguar se për çfarë po e uronte.

Partisë Socialdemokrate të Kosovës i janë bashkuar 12 deputetë që kishin fituar ulëset në Kuvendin e Kosovës duke garuar nën flamurin e Lëvizjes Vetëvendosje.

Këta deputetë kishin dhënë dorëheqje nga VV muaj më parë.

Në mesin e tyre ishte edhe kryetari i atëhershëm i Vetëvendosjes, Visar Ymeri, nënkryetari Dardan Sejdiu, sekretari organizativ, Dardan Molliqaj, etj.