Shpend Ahmeti: Kosova nuk është 'vend i keq'

Kryetari i sapozgjedhur i Partisë Social Demokrate, Shpend Ahmeti, në fjalimin e parë në këtë ost, tha se duhet punuar për instalimin e vlerave europiane në Kosovë.

Ahmeti, duke folur në ceremoninë pas Kuvendit të partisë, tha se Kosova duhet të punojë që “ta instalojë Europën” në Kosovë.

“Nuk është përzgjedhë rastësisht data 9 Maj, Dita e Europës, që çuditërisht në Kosovë është ditë pushimi”, tha Ahmeti.

“Ne fjalorin e kemi gabim: shkuarja në Europë, shkuarja në Bruksel. Ne duhet ta instalojmë Europën në Kosovë… Ne nuk do të shkojmë të gjithë të jetojmë në Europë, ne duam që standardet e BE-së t’i kemi në Kosovë”, tha ai.

Ahmeti tha se “duhet të luftojmë për social demokracinë në vendin tonë”.

“Në deklaratën e 9 maj 1950 Robert Shuman shkruan për solidaritetin në prodhim. Ka qenë e drejtë çka ka thënë ai, ngase nga ajo kohë s’kemi as konfliktin me të vogël në Europë. Tash, duhet të them që diçka që është fundamentalisht gabim në Kosovë: maksimalizimi i interesit personal. Kjo na është kthyer në qëllim kolektiv”.

“Kualitetet vetjake të jetës nuk janë te trashëguara. Obsesioni për pasurimin është qëllimisht ideologji e 20 viteve të fundit në Kosovë”.

“Në Kosovë thuhet nuk funksionin publikja, vetëm privatja. Ne fakt në Europë funksionon privatja, po edhe publikja, funksionojnë bashkë”.

Ahmeti foli edhe për gjeneratat e reja duke u ndërlidhur me dëshirën e të rinjve për t’u larguar nga vendi në mungesë të perspektivës.

“Nuk është vend i keq ky, por e shohin që këtu kanë ndodhë gjana të kqija, edhe detyrohen të ikin”, tha Ahmeti.

“Gjenerata e re nuk është që nuk ka ideal, por na nevojitet një konkretizim i këtyre idealeve, e ne social demokratët jemi shumicë”, shtoi ai.

Lajm në zhvillim