Festa e mbrëmshme e LVV-së. Foto: Kallxo.com

Shpend Ahmeti e Prezanton Albin Kurtin si Kryeministër

Vetëvendosje po pretendon të jetë fituese e zgjedhjeve të djeshme meqë doli me një rritje të ndjeshme të votave, pavarësisht se rezultatet e projektuara nuk ia japin asaj primatin si subjekti politik më i votuar.

Por entuziazmi i ka kapluar drejtuesit dhe simpatizantët e VV-së që nga momenti kur filluan të rrjedhin rezultatet e para.

“Tashmë është e qartë se Lëvizja Vetëvendosje do ta udhëheqë me qeverinë e Kosovës. Tashmë është e qartë se Albin Kurti do të jetë kryeministër i Republikës së Kosovës”, tha Ahmeti para masës së simpatizantëve të VV-së në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë.

Kryetari i Vetëvendosjes, Visar Ymeri, foli para masës për rezultatin e VV-së.

:Vetëvendosje fitoi kundër krimit të nëntokës që u vesh me petkun e mbitokës”, tha ai.

Ndërsa Kurti, kur e mori fjalën, tha se “kjo është festë e njerëzve të mirë të këtij vendi”.

“Ka fituar guximi mbi frikën e shpresa mbi dëshpërimin. Edhe shpresa edhe guximi kanë fituar me zemër. Me zemër na presin edhe fitore në të ardhmen”, tha Kurti.

“Njëri koalicion me 16 parti e tjetri me 6 a 7 parti janë tkurrur shumë. Lëvizja jonë është partia e parë, është rritur shumë. VV është rritur për 120 përqind”, shtoi Kurti.

“Nuk do të mbajmë inat e nuk do të revanshohemi. Ne duam t’i bashkojmë qytetarët për progres”, tha ai.