Shpend Ahmeti, kryetar i Prishtinës

Shpend Ahmeti Dënohet nga PZAP

Përfshirja e personave të mitur në fushatë zgjedhore nga kandidati për kryetar të Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, i ka kushtuar Lëvizjes Vetëvendosjes me gjobë prej 1.500 eurosh.

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) e ka gjetur të bazuar ankesën e BIRN dhe Internews Kosova të bërë në lidhje me fotografitë e fushatës të publikuara nga Shpend Ahmeti, në të cilat shiheshin edhe fëmijë.

Kryetari i Prishtinës kishte publikuar disa foto në profilin e tij në “Facebook” pas takimit me sportistët në klubin e basketbollit “Prishtina”, në Pallatin e Rinisë.

Në arsyetimin e vendimit, PZAP ka gjetur se kandidati i VV-së për të parin e Prishtinës ka shkelur Kodin e Mirësjelljes duke bërë fushatë në objekt publik.

Ndërsa, fshirja e fotove nga faqja e “Facebook”-ut, ku ishin të përfshirë edhe persona të mitur, është vlerësuar pozitivisht dhe ka ndikuar në lartësinë e gjobës së shqiptuar.

Kështu, PZAP urdhëron Vetëvendosjen ta paguajë dënimin brenda afatit prej 15 ditësh “nën kërcënimin e përmbarimit”.

Pak ditë më parë për përfshirje të fëmijëve në fushatë është dënuar me 3.500 euro edhe kandidati i PDK-së për kryetar të Prishtinës, Lirak Çelaj.

BIRN në vazhdimësi ka paraqitur ankesa në PZAP ndërsa vetëm në zgjedhjet e 11 qershorit si rezultat i ankesave të BIRN janë shqiptuar 33 mijë euro gjobë ndaj subjekteve të ndryshme politike.

Lidhur me përdorimin e fëmijëve në fushata zgjedhore disa herë ka alarmuar edhe Avokati i Popullit.