Shpejtësia që Rrezikon Banorët në Rrugën me Katër Korsi

Shpejtësia e automjeteve në rrugën ma katër korsi që kalon nëpër lagjet “Fidanishte” e “7 Shtatori” të Pejës po i shqetëson banorët.

Në këtë rrugë me katër korsi mungojnë edhe shenjat e komunikacionit, ndërsa shpesh ndodhin aksidente.

Endrit Berisha, i mbijetuari i një aksidenti të tillë thotë se ende i vuan pasojat e goditjes nga makina.

“Unë jam njëri ndër ata që kam pësuar vetë në këtë rrugë. Duke u kthyer prej shkolle, me ka shkelur vetura. Mirëpo fatmirësisht unë kam shpëtuar, por ka shumë raste që kanë përfunduar tragjikisht”, tha Endrit Berisha.

Edhe Besim Qelaj, asamblisti i PDK-së dhe banori i lagjes “7 Shtatori” tha se ka pësuar aksident në këtë rrugë.

“Shqetësimi më i madh është së këtu ka pasur aksidente me fatalitet, ka dy-tri në vit ndodhin aksidente me fatalitet. Një ndër të aksidentuarit jam edhe vetë, kam edhe familjarë të aksidentuar, kam edhe shok kohën e fundit që është aksidentuar me fatalitet”, thotë Qelaj.

Nami Kastrati një banor tjetër i kësaj pjese të Pejës thotë se edhe policia me radar dalin rrallë këtejpari.

“Policia shumë rrallë dalin  me radar edhe me të vërtetë është shumë problem se po ndodhin raste të ndryshme. Shumë shpesh është në rrezik fëmija, është rreziku plaku”, tha Kastrati për KALLXO.com.

Banorët kërkojnë vendosjen e shenjave që kufizojnë shpejtësinë në këtë rrugë, krijimin e pengesave për kufizim shpejtësie dhe patrullim më të shpeshtë të policisë.

Drejtori i Shërbimeve Publike në Komunën e Pejës Muhamet Mahmutaj me anë të telefonit tha për KALLXO.com se kjo drejtori është duke shqyrtuar vendosjen e shenjave të komunikacionit që në rrugën me katër korsi do të pengonin aksidentet dhe do të mbronin këmbësorët.

Drejtoria Rajonale e Policisë së Pejës tha për KALLXO.com se në këtë rrugë patrullohet sidomos në kohën kur nxënësit shkojnë në shkollë.

Kjo drejtori bëri të ditur se aksidentet kanë ndodhur për mosrespektim të rregullave të komunikacionit.

“Mosrespektimi i shenjave dhe shpejtësisë ka çuar ngasësit në aksidente edhe të atyre me lëndime trupore të vetë ngasëseve dhe të këmbësorëve, sepse ngasësit nuk kanë respektuar përparësitë në kalim të këmbësorëve dhe këta të fundit kanë pësuar edhe me jetë”, thuhet në njoftimin e Drejtorisë së Policisë.

Probleme të njëjta me aksidentet kanë edhe banorët e rrugës “Vëllezërit Zekaj”. Kjo rrugë lidh magjistralet Prishtinë-Pejë dhe Pejë-Deçan.

Policia e pranon se në këtë rrugë është një kthesë e rrezikshme dhe e pandriçuar gjatë natës, në të cilën makinat futen me shpejtësi të madhe.

Në shkurt të këtij viti KALLXO.com shkroi edhe për rrezikun nga makinat në Sllatinë të Vogël të Fushë-Kosovës.

http://kallxo.com/banoret-e-sllatines-kerkojne-trotuare/