Gjykimi i drejtorit të arsimit | Foto: KALLXO.com

Shpallet i Pafajshëm Drejtori i Arsimit në Suharekë

Gjykata e Prizrenit i ka dhënë sot pafajësinë drejtorit të Arsimit në Komunën e Suharekës Sherif Berisha.

Berisha akuzohej për keqpërdorim detyre, pasi sipas aktakuzës së prokurorisë nuk rishpalli një konkurs për mësimdhënës në Shkollën e Mesme Profesionale “Abdyl Rama” të Suharekës, edhe pse kjo gjë i ishte kërkuar nga Sektori i Inspeksionit të Arsimit të Prizrenit.

Prokuroria akuzonte drejtorin Berisha se i shkeli të drejtën e punës të dëmtuarës së këtij procesi Fatmire Elshani.

Dje prokurorja Ervehe Gashi në fjalën përfundimtare kërkoi dënimin e Sherif Berishës, ndërsa avokati Brahim Sopaj lirimin e tij.

Berisha u gjykua edhe në një proces tjetër gjyqësor të mëhershëm duke u dënuar me pesë muaj burg për cenim të të drejtave të punësimit dhe papunësisë, pasi punësoi dhjetë persona pa konkurs.