Shpallet i Pafajshëm i Akuzuari për Keqpërdorim të Besimit

Nebih Zeqiri nga fshati Muzeqinë i Komunës së Shtimes është shpallur i pafajshëm nga Gjykata Themelore në Ferizaj për akuzat e mashtrimit dhe keqpërdorimit të besimit.

Nebih Zeqiri akuzohej nga Avdullah Avdullahu dhe Sadije Jashanica se në cilësinë e përfaqësuesit të tyre në një kontest civil të kompensimit të dëmit për shkak të aksidentit të komunikacion, i kishte mashtruar dhe nuk u kishte dorëzuar shumën e plotë të pagesës së bërë në emër të dëmshpërblimit.

Avdullah Avdullahu dhe Sadije Jashanica pretendonin në padi se Nebih Zeqiri nuk ua kishte dhënë më shumë se gjysmën e dëmshpërblimit, duke përfituar kundërligjshëm mbi 50 mijë euro.

Zeqiri, për të dy akuzat që e rëndonin është shpallur i pafajshëm nga Gjykata Themelore në Ferizaj.

Avokatja e palës së dëmtuar, Labinota Qosa-Ilazi ka paralajmëruar ankesë ndaj këtij vendimi.