Të akuzuarit e rastit të Herceg Bosnjës. Foto: Tribunali i Hagës

Shpallet Fajtor nga Haga, Pretendon se Piu Helm në Seancë

Gjykata e Hagës për Krime të Lutës në ish- Jugosllavi shpalli fajtorë gjashtë kroatë të Bosnjës për krime të luftës kundër boshnjakëve në shtetin e panjohur të Herceg-Bosnjës, por shpallja e verdiktit u ndërpre kur një i akuzuar pretendoi se piu helm në seancë.

Gjykata vërtetoi vendimet ndaj Jadranko Prliq, Bruno Stojiq, Slobodan Praljak, Milivoj Petkoviq, Valentin Çoqir dhe Berislav Pusiq, duke konfirmuar se ata janë fajtorë për krime kundër njerëzimit dhe krime tjera kundër boshnjakëve në kohën kur ishin zyrtarë të lartë politikë dhe ushtarakë të Herceg- Bosnjës gjatë kohës së luftës.

Por leximi i verdiktit u ndërpre në mënyrë dramatike kur Praljak tha se piu helm.

“Slobodan Praljak nuk është kriminel lufte. E hedh poshtë gjykimin tuaj”, bërtiti ai kur u pa duke pirë nga një shishe e vogël në sallën e gjyqit.

Leximi i vendimit më pas u ndërpre përderisa u thirr një ambulancë.

Para ndërprerjes, Prliq, ish kryeministër i komunitetit kroat të Herceg- Bosnjës dhe figurë e lartë në mesin e të akuzuarve, ishte dënuar me 25 vjet burg.

Stojiq dhe Praljak u dënuan me nga 20 vjet burg ndërsa vendimet tjera nuk janë shpallur ende.