Shpallet Fajtor Drejtori i Arsimit të Suharekës

Drejtori i Drejtorisë së Arsimit të Komunës së Suharekës, Sherif Berisha, është shpallur fajtor dhe është dënuar me burg efektiv në kohëzgjatje prej 5 muajsh.

Mirëpo, Gjykata e Prizrenit e pranoi propozimin e avokatit të të pandehurit, i cili kërkoi që këtë dënim ta zëvendësojë me gjobë dhe vendosi ta dënojë me 4 mijë euro.

Pas këtij vendimi, avokati Brahim Sopa, paralajmëroi se nuk do të bëjë ankesë në Gjykatën e Apelit.

“Gjatë kësaj seance gjykata pas komunikimit me burg efektiv, ne në kuptim të nenit 47 kemi kërkuar nga trupi gjykues që ta zëvendësojmë me dënim me gjobë. I njëjti propozim është aprovuar. I mbrojturi im është dënuar me gjobë dhe nuk do të bëjmë ankesë”, tha avokati .

Ndërsa, prokurori i rastit, Mehdi Sefa, për KALLXO.com se do të bëjë ankesë kundër këtij aktgjykimi.

Sipas aktakuzës, Sherif Berisha akuzohet se gjatë viteve shkollore 2014/2015 dhe 2015/2016, duke shfrytëzuar detyrën zyrtare ka tejkaluar kompetencat e tij me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për personin tjetër, në atë mënyrë që punëson pa konkurs në shkolla të ndryshme në Suharekë nëntë mësimdhënës dhe një kontabilist.

Drejtori i Arsimit po ashtu akuzohet edhe për kryerje të veprës penale – cenimi i të drejtave të punësimit dhe papunësisë, sepse ua ka mohuar personave të tjerë të drejtën për punësim në kushte të njëjta.

http://kallxo.com/drejtori-arsimit-akuzohet-se-punesoi-10-veta-pa-konkurs/