Shpallja e aktgjykimit në rastin e Nexhat Ademit, i akuzuar për terrorizëm - Foto: KALLXO.com

Shpallet Aktgjykimi në Rastin e të Akuzuarit për Terrorizëm

Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur sot aktgjykimin në rastin e Nexhat Ademit, i cili po akuzohet për pjesëmarrje në grupe terroriste.

I akuzuari është shpallur fajtor dhe është dënuar me tre vjet burgim.

Në seancën e kaluar, i akuzuari ndonëse kishte vendosur që të mbrohej në heshtje, në fjalën përfundimtare deklaroi se pendohet për veprimet e ndërmarra. Ai tha se është i pafajshëm dhe nuk paraqet asnjë rrezik për shtetin e Kosovës.

“Në atë ndërdijen time dhe në pozitën time jam pozitiv dhe i pafajshëm. Pendohem jashtëzakonisht thellë për veprimet e mia. Nuk do t’i përsëris më kurrë këto veprime. I kam ra pishman prej A deri në Zh. Unë nuk paraqes kurrfarë rreziku për shtetin tim”, tha i akuzuari të premten.

Gjatë të njëjtës seancë në Gjykatë ishte paraqitur edhe eksperti i mjekësisë forenzike, dr. Shpend Beqiri, i cili kishte qenë në mesin e ekspertëve psikiatrikë të cilët i kishin bërë një ekspertizë të akuzuarit.

Kjo ekspertizë ishte kërkuar nga vetë avokati i të akuzuarit pasi që sipas tij klienti i tij kishte probleme psikike të cilat i kishin shkaktuar ngecje në zhvillim mendor.

Por, në bazë të ekspertizës së kryer, dr. Beqiri tha se pas ekzaminimit nuk është arritur të provohet se i akuzuari vuan apo ka vuajtur nga ndonjë sëmundje mendore.

“Duke i marrë parasysh të gjitha të lartcekurat kemi ardhur në konstatim se te i ekzaminuari im nuk është vërejtur ndonjë sëmundje mendore e karakterit që mund të jetë i përhershëm apo edhe i përkohshëm nuk kemi vërejtur ngecje në zhvillim mendor apo ndonjë sëmundje tjetër mendore”, deklaroi eksperti.

Sipas ekspertit, tek i akuzuari është vërejtur një depresion i lehtë për të cilin tha se mund të jetë pasojë e situatës në të cilën ndodhet i akuzuari por që kurrsesi nuk ka të bëjë me ndonjë sëmundje mendore apo ngecje në zhvillim mendor.

“Tek i njëjti për arsye të konditave në të cilat gjendet është vërejtur një depresion i lehtë por i cili ka të bëjë me kohën aktuale, po ashtu në kohën kur e ka kryer veprën për të cilën akuzohet nuk kemi gjetur ndonjë çrregullim mendor i cili ose të cilat pengesa do të ndikonin ne gjykimin e tij, për rëndësinë e veprës si dhe kontrollin e veprimeve të tij”, u shpreh eksperti.

Edhe prokurori i çështjes, Elez Blakaj gjatë fjalës përfundimtare i kërkoi Gjykatës që të akuzuarin ta shpallë fajtor dhe ta dënojë sipas ligjit pasi që sipas tij me të gjitha provat e administruara është vërtetuar se i akuzuari e ka kryer veprën e cila i vihet në barrë.

“Pas administrimit të të gjitha provave është arritur të provohet përtej dyshimit të bazuar mirë se i njëjti e ka kryer veprën penale për të cilën akuzohet, duke përmendur edhe fotot dhe videon të cilën vetë ai e ka publikuar në youtube. Në këto video shihen pjesëtarë të ISIS, njëri nga të cilët e mban në dorë një kokë të prerë të një njeriu. Në këto foto ai e shpreh mendimin dhe dëshirën që edhe në Kosovë të mbizotërojë një gjendje e tillë”, tha prokurori.

Po ashtu prokurori deklaroi se pajtohet plotësisht me raportin e ekspertizës në lidhje me të akuzuarin pasi që sipas tij edhe me ekspertizë u arrit të vërtetohet se i akuzuari të gjitha veprimet të cilat i ka ndërmarrë i ka kryer duke qenë plotësisht i vetëdijshëm.

Ndërsa mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Sabedin Cenaj tha se i mbrojturi i tij nuk është person i vrazhdë dhe se gjatë gjithë gjykimit është arritur të vërtetohet se klienti i tij është shumë i qetë, ndryshe nga ajo që pretendon prokurori.

“Siç e pamë nga fjala përfundimtare e prokurorit, prokurori të akuzuarin Nexhat Ademi për shkak të publikimit të disa fotografive e paraqet si person të vrazhdë dhe si person që këto qëllime të fotografive ka dashur t’i realizojë edhe në Kosovë mirëpo besoj edhe trupi gjykues edhe të gjithë të pranishmit në sallë me dhjetëra seanca që janë mbajtur gjatë këtij shqyrtimi kemi mundur të vërejmë se Nexhati nuk është aspak person i vrazhdë, nuk ka paraqitur ndonjë sjellje të vrazhdë gjatë paraqitjes së tij në seanca. Po ashtu edhe nga ekspertët u konfirmua se Nexhati ka qenë tejet korrekt dhe i qetë”, u shpreh avokati Cenaj.

Ai në fjalën përfundimtare i kërkoi trupit gjykues që të mbrojturin e tij ta lirojë nga aktakuza pasi që sipas tij prokurori me asnjë provë nuk ka arritur të provojë se i mbrojturi i tij ka qenë në Siri apo që ka qenë pjesë e ndonjë grupi terrorist.

“Nga të gjitha provat që gjenden në shkresat e lëndës nuk është vërtetuar se i pandehuri ka kryer veprën penale me të cilën ngarkohet nga prokuroria aq më pak prokuroria nuk na ka ofruar asnjë provë direkte se Nexhati ka qenë në territorin e Sirisë apo ka qenë i përfshirë në ndonjë grup terrorist. Konsideroj se nuk është vërtetuar se i pandehuri e ka kryer këtë vepër penale prandaj i propozoj gjykatës që të marrë aktgjykim me të cilin i akuzuari të lirohet nga kjo aktakuzë”, deklaroi avokati.

Nexhat Ademi, sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale të Kosovës në janar të vitit 2014 ishte nisur nga Aeroporti i Prishtinës për në Stamboll e nga ku më pas ka udhëtuar për në qytetin Gaziantep të Turqisë që ndodhet afër kufirit me Sirinë.

Në bazë të aktakuzës, qëllimi i Ademit ishte që të kalojë në Siri dhe të bëhet pjesë e organizatës “Al-Nusra” dhe të angazhohet për krijimin e Shtetit Islamik në territorin e Sirisë dhe Irakut.

Nexhat Ademi sipas Prokurorisë qëndroi në Siri për një javë në territorin që e kontrollonte “Al-Nusra” dhe pastaj u kthye në Kosovë.

Përpos këtij udhëtimi, Prokuroria Speciale pretendon se Ademi përsëri më 4 mars 2016 provoi të shkojë në Siri por pasi arriti në Aeroportin e Stambollit u ndalua nga autoritetet turke dhe më pas u dëbua për në Kosovë për shkak të lidhjes së tij me zonën e luftës.

KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi rreth këtij procesi gjyqësor. Raportet mund t’i gjeni në këtë link.