Çekani i gjykatës - Foto: KALLXO.com

Shpallen Fajtorë për Grabitjen e Postës në Skenderaj

Gjykata Themelore e Mitrovicës i ka shpallur fajtorë tre të akuzuarit për grabitje të Postës në Skenderaj.

Behar Geci, Labinot Geci dhe Blerim Shatri u dënuan me nga një vit e gjashtë muaj burgim efektiv secili.

Të tre akuzoheshin nga Prokuroria e atëhershme e Qarkut në Mitrovicë se në gusht të vitit 2009 në Skenderaj si grup i armatosur dhe të maskuar me qëllim që vetes t’i sjellin dobi pasurore të kundërligjshme kanë hyrë në objektin e të dëmtuares PTK, filiali në Skënderaj.

Sipas aktakuzës, i pandehuri Labinot Geci ka qëndruar në korridor dhe ka kërcënuar punëtorin Faton Ahmeti, kurse i pandehuri tjetër Behar Geci ka bërë roje me armë në dorë, gjersa i pandehuri Blerim Shatri ka depërtuar te sporteli ku ka qenë punëtorja Lumnije Thaqi dhe duke e kërcënuar me armë që të lëvizte ka marrë kasafortën në të cilën ka pasur para të gatshme dhe pulla postare në shumë prej 1.250 euro.

Pas kësaj të gjithë së bashku kanë ikur nga vendi i ngjarjes duke shkuar në shtëpinë e të pandehurit Behar Geci, ku i kishin ndarë paratë në mes vete kurse kasafortën e kanë hedhur në një vend të quajtur “Te Vojvodët”.

Me këtë kanë kryer veprën penale rast i rëndë i vjedhjes grabitqare apo grabitjes.

Përveç kësaj, të akuzuarit u obliguan që në mënyrë solidare t’i paguajnë të dëmtuarës, Postës dhe Telekomit të Kosovës (PTK ) dega në Skenderaj shumën prej 1,230.37 euro.

Gjykatësi Avni Mehmeti i njoftoi të akuzuarit dhe mbrojtësit e tyre se kanë të drejtë ankese ndaj këtij vendimi, si dhe që në dënimin e shqiptuar do të llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim e të akuzuarve.