Shpërblehen eksportuesit kosovarë

Shpallen Eksportuesit më të Mëdhenj, Premtohen Lehtësime

Besian Mustafa, Drejtor Ekzekutiv i KIESA-s, foli për të arriturat e agjencisë në përkrahjen dhe promovimin e bizneseve, veçanërisht të atyre eksportuese.

“Nuk mund të flitet për zhvillim ekonomik pa prodhuesit dhe eksportuesit. Këta do të vazhdojnë të kenë një rol kryesor dhe më të gjerë në prodhimin dhe zëvendësimin e importit në të ardhmen për produktet kosovare”,  u shpreh Mustafa.

Gjithashtu, ai tregoi se KIESA do të përkushtohet në ngritjen e kapaciteteve dhe të cilësisë dhe në certifikimin e produkteve për lehtësim të eksportit.

Zef Dedaj nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, foli për rëndësinë dhe lehtësirat që Marrëveshja për Stabilizim- Asocim (MSA) pritet të krijojë për prodhuesit dhe eksportuesit si dhe obligimet që i shtohen biznesit kosovar në kuadër të kritereve të inkuadrimit në tregun e BE-së.

Kryetari i Shoqatës së Eksportueseve të Kosovës, Nexhat Hasani, tha se eksportuesi ende po përballet me probleme të shumta veçanërisht me ato doganore.

“Edhe pse eksportet ende janë në disfavor, nga viti 2013 kemi një rritje të eksporteve”, u shpreh Hasani.

Ai tregoi se tregu më i madh për eksport nga bizneset kosovare është BE-ja me një pjesëmarrje mbi 40%, të pasuara nga CEFTA me 32% dhe me vendet e rajonit 24%.

Në kuadër të kësaj konference, Shoqata e Eksportuesve të Kosovës shpalli e eksportuesit të vitit për kompanitë eksportuese mikro, të vogla dhe ato të mesme.

Si eksportues më i madh mikro është shpallur kompania Euro Food nga Prishtina, nga bizneset e vogla kompania AMO nga Klina dhe si eksportues më i madh i biznesit të mesëm u shpall kompania Frutex nga Suhareka.