Shoqëria Duhet t'i Marrë më Seriozisht të Drejtat e Grupeve të Margjinalizuara

Problemet me të drejtën e grave në trashëgimi, atyre të komunitetit LGBT, personave me aftësi të kufizuara dhe përfshirjen e të rinjve në proceset sociale duhet të trajtohen më seriozisht nga institucionet dhe shoqëria,, u tha sot në një konferencë kushtuar grupeve të margjinalizuara në Kosovë.

Këtyre problemeve u dha theks të veçantë Konferenca “Rritja e pjesëmarrjes së grupeve të margjinalizuara” të organizuar nga USAID dhe ATRC.

Ambasadori Amerikan Greg Delawie tha se thirrja për të vepruar në këtë drejtim është për të gjithë.

“Ne punojmë që të garantojmë që të gjitha femrat kanë të drejta të barabarta mbi pronën, ne punojmë që të sigurojmë mundësi për të rinjtë që të marrin pjesë aktivisht në të gjitha segmentet e shoqërisë, ne punojmë që të sigurojmë që personat me aftësi të kufizuara kanë të qasje të barabartë në punë dhe në jetën publike, ne punojmë që t’i mbrojmë anëtaret e komunitetit LGBT”, tha Delawie.

Kryesuesi i ri i KGjK-së, Nehat Idrizi. duke folur për të drejtën e trashëgimisë tregoi për përvojat e tij për palët të cilët i kanë rrëfyer atij personalisht për rastet kur gjykatësit u kanë kërkuar grave të heqin dorë nga pasuria.

“Kam dëgjuar për palë të cilave vet gjykatësit u kanë rekomanduar të heqin dorë nga kërkesat për trashëgimi”, ka thënë Idrizi

Kreshnik Gashi, redaktor i emisionit “Drejtësia në Kosovë”, tha se nuk ia vlen të flitet për të drejtat e grave kur ato nuk respektohen në Gjykatë.

“Unë po besoj që Këshilli Gjyqësor duhet të punojë shumë në këtë drejtim dhe në rastin e parë që hasë në një raportim të tillë, Gjykatësit duhet me ia ndërpre kontratën dhe kjo me qenë njëra prej shkeljeve të rënda të etikës e cila duhet me u reflektu me përjashtim të Gjykatësit prej punës. Nuk na vyejnë gjykatës të tillë që na referojnë gratë që problemet e tyre mi zgjidh me kanun” tha Gashi.

Emisioni Drejtësia në Kosovë ka sjellë disa hulumtime mbi diskriminimin në shoqëri e familje.

http://kallxo.com/gruaja-dhe-prona-prane-shtepive-te-pastreha/

Ministri i Drejtësisë Hajredin Kuçi tha se në praktikë barazia për të drejtën pronësore për shumëkënd është abtstrakte dhe nuk merret seriozisht.

“Ngritja e numrit të grave dhe vajzave që trashëgojnë këtë problem nuk zgjidhet vetëm me legjislacion prandaj duhet të punojmë më shumë edhe me konferenca të tilla, edhe në shkollat tona edhe në familjet tona dhe problemin ta shohim edhe problem politik, juridik edhe sociologjik  të drejtimit të çështjeve të tilla”, tha Kuçi

Ai tha se duhet të punohet për ta ndryshuar mentalitetin e tanishëm, pasi që ky problem po e sfidon gjithë shoqërinë.