Ilustrim

Shoqëria Civile Kërkon Kushtetutë të Qartë

Përfaqësues të shoqërisë civile në Kosovë kanë akuzuar partitë politike në vend se nuk kanë qenë të interesuar për t’i kryer reformat e nevojshme ligjore e kushtetuese në mënyrë që të parandalohen krizat e përsëritura politike me të cilat po përballet vendi pas zgjedhjeve.

Zgjedhja e kryetarit të Kuvendit e ka vënë Kuvendin në ngërç meqë subjekti më i votuar politik nga zgjedhjet, koalicioni PDK-AAK-NISMA, nuk i ka votat e nevojshme për ta zgjedhur kryetarin e Kuvendit.

Kushtetuta ia mundëson këtij koalicioni që ta vonojë deri në pafundësi propozimin për kryetar të Kuvendit meqë nuk ka afat kohor për ta bërë propozimin.

Albert Krasniqi nga Instituti demokratik i Kosovës (KDI), në takimin konsultativ të organizuar nga koalicioni LDK-AKR-Alternativa, thja se situata e bllokadës politike ka qenë e pritur.

“Jemi vonë me reformën zgjedhore dhe kushtetuese… E kemi ditë që do të vijmë në këtë situatë nëse asnjë parti nuk e ka shumicën por asnjë parti nuk e ka pasur vullnetin për t’u marrë me reformën”, tha Krasniqi.

Ai tha se shoqëria civile i ka deponuar propozimet që zgjedhja e kryetarit të Kuvendit të bëhet me më shumë kandidatë.

“Insistojmë që pas kalimit të kësaj situate, reforma kushtetuese të jetë prioritet nacional dhe të mos përballemi me situata të tilla”, tha Krasniqi.

Burim Ejupi nga Instituti për Zhvillim të Politikave (INDEP) tha se reforma duhet të bëhet për t’i parandaluar krizat edhe më të mëdha se kjo me të cilën po përballet vendi.

“Mos të vijmë në situata që një parti anarkiste, për shembull, mund ta bllokojë shtetin”, tha ai.

“Kushtetuta duhet të qartësohet. Le të jetë edhe 1 mijë faqe, por këto gjëra duhet të qartësohen”, shtoi Ejupi.