Shoqatat Duan një Ditë për Dëshmorët

Për këtë kërkesë që pritet t’u dorëzohet Kuvendit dhe Qeverisë së Kosovës përfaqësues të tri shoqatave të dala nga lufta mbajtën sot konferencë për shtyp.

Xhavit Jashari, përfaqësues i këtyre shoqatave, kërkoi që të bëhet plotësim-ndryshimi i Ligjit për Festat Zyrtare, në mënyrë që 5 maji të bëhet Ditë e Dëshmorëve të Kombit.

Kjo ditë e dëshmorëve festohet në Shqipëri e Maqedoni.

Jashari në konferencë tha se këtë ditë e kërkojnë për të nderuar të gjithë dëshmorët, pavarësisht kohës në të cilën kanë luftuar.

“Kjo kërkesë mbështetet në të kaluarën historike të popullit tonë, por edhe në idealin dhe betimin e ushtarit të UÇK-së,” tha Jashari.

Ai tha se dëshmorët duhet ta kenë një ditë kur kujtohen.

“As armiqtë nuk e mohuan se ekziston kombi shqiptar. Si është e mundur që shqiptarët që kanë rënë për këtë tokë të mos kenë një  ditë që kujtohen,” tha Jashari.

Ai bëri të ditur se nëse kërkesa për 5 majin si ditë të dëshmorit nuk realizohet, shoqatat do të gjejnë mënyra dhe forma që ta plotësojnë atë, pa i saktësuar se cilat do të jenë ato.

Xhavit Jashari tha se pasi Kosova nuk ka ditë të dëshmorëve, ai nesër më 5 maj do të udhëtojë në Shqipëri për të nderuar te përmendorja e Skënderbeut dhe shtatoret e Hasan Prishtinës, Shote Galicës dhe Adem Jasharit.