Shnet, Aplikacioni i Parë në Kosovë për Edukatën Seksuale

Shnet, aplikacioni i parë digjital në Kosovë për edukimin seksual për rininë, është prezantuar të mërkurën në American School of Kosovo.

Eurisa Rukovci, një nga krijueset e aplikacionit, tha për Prishtina Insight se ekipi ka filluar aplikacionin për të kundërshtuar informatat e gabueshme, dhe sidomos ato të ndikuara nga shoqëria patriarkale, që përcjellin edukatën seksuale në Kosovë.

“Pasi që ka mungesë të planprogramit nëpër shkolla në Kosovë dhe flitet shumë pak rreth edukatës seksuale, ne menduam që me anë të aplikacionit, të rinjtë do të kenë qasje më private dhe më të lehtë ndaj informatave për edukatë seksuale,” tha Rukovci.

Rukovci dhe tre krijueset tjera të përmbajtjes janë studente të psikologjisë në Universitetin e Prishtinës. Ato e iniciuan Shnet me ndihmën e projektit Upshift të UNICEF Innovations Lab. Stafi i Innovations Lab i ka mbështetur krijueset, që kanë zhvilluar aplikacionin e tyre në bashkëpunim të afërt me Nebula, një kompani zhvillimi softuerësh.

Kur ekipi zhvilloi idetë e tyre, ato filluan të prezantojnë aplikacionin te nxënësit e shkollave të mesme të Prishtinës. Rukovci vëren që rinia janë shumë të interesuar në këtë temë.

“Ata [studentët] na tregonin vazhdimisht për praktikat e profesorëve të tyre që anashkalojnë kapitujt e librave që kanë të bëjnë me edukatën seksuale,” tha ajo, duke iu referuar orëve të biologjisë që supozohen të mbulojnë sistemin reproduktiv të njerëzve.

“Ata kishin njohuri për disa gjëra bazike rreth anatomisë, sa kemi mundur me vërejt, por ka ende punë që duhet bërë rreth temave [që përfshijnë] sëmundjet seksualisht të transmetueshme, mbrojtjes, dhe sidomos seksualitetit,” thotë Rukovci.

Aplikacioni do të jetë falas për t’u shkarkuar nga Google Play Store. Përmbajtja do të jetë në shqip, serbisht dhe anglisht, dhe do të ndahet në pesë seksione: Të flasim për seksin, Sigurt është seksi, Anatomia e Seksit, Fakte për Seksin, dhe Njihe Veten.

“Të flasim për seksin do të përmbajë përmbajtje të temave [direkt nga] pyetjet e përdoruesve të aplikacionit në fund të çdo muaji,” shpjegoi Rukovci. “Pra, do të jetë blog ku temat që janë më interesante për përdoruesit do të shpjegohen.”

“Sigurt është Seksi do të përmbajë informacione për kontraceptivët, sëmundjet seksualisht të transmetueshme, abortit dhe abstenimit,” shtoi ajo.

Rukovci tha që tema e Anatomisë së Seksit do të mbulojë informacione për pubertetin dhe zhvillimin. Faktet për Seksin do të mbulojnë aktet seksuale, duke përfshirë informacione për orgazmën dhe paralojën, si dhe këshilla për të marrë vendimin tënd personal nëse dikush është gati për t’u përfshirë në marrëdhënie seksuale.

Seksioni i fundit, Njihe Veten, “do të ketë informacione për seksualitetin, të drejtat seksuale të përcaktuara nga ligjet e Republikës, identiteti gjinor, orientimi gjinor dhe abuzimi seksual,” tha Rukovci.

Artikulli fillimisht është botuar në Prishtina Insight.

Versioni 4.1 Versioni 4.2