Semaforët e ndalur te "Qafa" | Foto: KALLXO.com

Shkyçja e Semaforëve te ‘Qafa’ Shqetëson Banorët

Semaforët  e shkyçur në udhëkryqin mes rrugëve “Migjeni” dhe “UÇK” te “Qafa” në Prishtinë me arsyetimin e pengimit të krijimit të kolonave të gjata të makinave, po shihen me shqetësim nga këmbësorët që kalojnë këtej pari.

Nexhmane Bytyqi, banore e kësaj pjese të kryeqytetit thotë se nga kjo shkyçje më të rrezikuarit janë fëmijët dhe të moshuarit.

“Neve qytetarëve shumë na pengon që nuk funksionojnë semaforët në këtë pjesë, sidomos për fëmijët dhe për pleqtë. Ndalja e semaforëve është që një kohë të gjatë. Udhëkryqi te ‘Qafa’ mund të shkaktojë probleme në automjete dhe në njerëz”, thotë Bytyqi për KALLXO.com.

Edhe banorët tjerë Xhemail Krasniqi e Besim Çitolli kërkojnë që udhëkryqi te “Qafa” të funksionojë me seamaforë, duke bërë fajtorë për ndaljen e këtyre sinjalizuesve ndriçues Komunën e Prishtinës, policinë dhe kompanitë e sigurimeve.

Adonis Tahiri, zyrtar për komunikim në Komunën e Prishtinës tha për KALLXO.com se semaforët te “Qafa” janë shkyçur ngase është vlerësuar që komunikacioni në atë udhëkryq më mirë zhvillohet pa ta.

“Semaforët te ‘Qafa’ nuk janë dëmtuar, por janë ndalur qëllimisht, pasi që kjo ka qenë kërkesë edhe e Policisë se Kosovës. Është konsideruar se ai udhëkryq funksionon më mirë me shenja të tjera të komunikacionit, sesa me semaforë”, tha Tahiri.

Edhe zyrtarë të Policisë së Kosovës në Prishtinë thonë se semaforët në udhëkryqin e rrugëve “Migjeni” dhe “UÇK” janë ndalur për të shmangur kolonat e gjata të makinave.

Milaim Fejzullahu, komandanti i Trafikut Rajonal në Komunën e Prishtinës tha për KALLXO.com se edhe pa semaforë duhet të respektohen rregullat e trafikut.

“Ndalja e semaforëve në këtë udhëkryq ka qenë një zgjidhje e shpejtë për mënjanimin e kolonave në rrugë. Por drejtuesit e automjeteve dhe këmbësorët duhet të respektojnë vendkalimet për këmbësorët që gjendet aty”, kërkoi Fejzullahu.

Por eksperti i komunikacionit, dr. sc. Nol Dedaj thotë se në udhëkryqin te “Qafa” semaforët duhet të jenë funksionalë, sidomos në kohën e qarkullimit më të madh të automjeteve e këmbësorëve aty.

“Vendi i cekur më lart është në zonën e parë te qytetit prandaj është e domosdoshme të ketë sinjalizim ndriçues për lëvizjen e këmbësorëve dhe automjeteve, është kryqëzim i formës ‘T’ ku duhet të zgjidhet programi i rregullimit të lëvizjes së këmbësorëve dhe automjeteve në mënyrë që të eliminohen të gjitha pikat e konfliktit”, shpjegoi Nol Dedaj.

Ai i konsideroi shumë të rrezikshme rrugët në të cilat mungon sinjalizimi.

“Lëvizja e këmbësorëve dhe automjeteve në kryqëzime të rrugëve të parregulluara apo të keqsinkronizuara me sinjalizim ndriçues (semaforë) është faktori kryesor i aksidenteve në qytet”, tha eksperti Dedaj.

Por komandanti i Trafikut Rajonal Milaim Fejzullahu, tha se aksidente shkaktohen edhe në vendet ku qarkullimi rregullohet me semaforë.

“Ne kemi shkelës të ligjit dhe në vendet ku kemi rregullim të komunikacionit me semaforë, ku si pasojë kemi edhe persona të vdekur. Çdo njeri që nuk e respekton ligjin bën kundërvajtje nga të cilat rrezikohet siguria publike në komunikacion”, tha komandanti Fejzullahu.

Sipas policisë, në Rrugën “UÇK” të Prishtinës që nga fillimi i këtij viti e deri tash kanë ndodhur pesë aksidente me lëndime të lehta trupore dhe dy me dëme materiale.