Shkresa për Uzurpimin e Pronës së Postës Shkon në Prokurori

Pasi emisioni i dhjetorit i “Drejtësisë në Kosovë” tregoi se kompania “Rukolli” me pronar Rrustem Rukollin shfrytëzon që nga viti 2010 një pronë të postës pa lejen e saj dhe Zyra Ligjore e BIRN dhe Internews Kosova dërgoi në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit një shkresë me gjetjet e këtij emisioni, kjo shkresë i ka shkuar Prokurorisë Themelore në Prishtinë.

Lajmin se shkresa e BIRN dhe Internews Kosova i ka shkuar prokurorisë e bëri të ditur për KALLXO.com prokurorja Laura Pula nga Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit.

“Lidhur me këtë po ju njoftoj se parashtresën tuaj e kam dërguar në kompetencën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Kryeprokurorit për trajtim të mëtutjeshëm,” thuhet në shkresën që ka pranuar nga Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit, Zyra Ligjore e BIRN dhe Internews Kosova.

Në hulumtimin e emisionit “Drejtësia në Kosovë” për pronën e uzurpuar nga posta, u zbulua se kompania “Rukolli” nuk i kishte paguar Postës së Kosovës asnjë cent për shfrytëzimin e pronës së saj që nga viti 2010.

Rreth kësaj prone, siç u tregua në “Drejtësia në Kosovë”, posta ushtroi dy padi-njërën prej tyre për pengim posedimi nga kompania “Rukolli”. Por në emision u bë e ditur se kjo padi u hodh poshtë nga gjykata në rrethana jo krejtësisht të qarta.

Më pas posta paditi përsëri kompaninë “Rukolli” duke kërkuar lirimin e pronës së saj.

Rrustem Rukolli pronari i kompanisë të cilën posta e ka paditur për lirimin e pronës, nuk pranoi të deklarohet për “Drejtësia në Kosovë” në lidhje me atë se si e shfrytëzon pronën publike pa lejen e pronarit legjitim.

Rrustem Rukolli ishte koordinator i mbrojtjes së kryetarit të Skenderajt Sami Lushtaku, ndërsa në maj të vitit të kaluar në Rubrikën “Policia” të emisionit “Drejtësia në Kosovë u shfaqën aksionet e policisë për lirimin e disa objekteve të uzurpura, njëri prej të cilëve lokali “Bab Club” që mbahej i uzurpuar nga Rukolli.

http://kallxo.com/aksioni-policise-per-pronat-e-uzurpuara-video/