Pamje nga mbledhja e sotme e Kryesisë së Kuvendit - Foto: KALLXO.com

Shkon në Kuvend Draft-Deklarata për Liberalizimin e Vizave

Në seancën plenare të së enjtes në rend dite do të jetë edhe draft-deklarata për liberalizimin e vizave, që është propozuar nga Komisioni për Punë të Jashtme. Kështu u vendos sot në mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit.

Përveç pikave të cilat kanë qenë në rend dite, ligjvënësit në seancën e së enjtes, që nis në ora 10:00, do të shqyrtojnë edhe draft-Deklaratën e pozitës dhe tri propozimet e opozitës për liberalizimin e vizave.

Por, as në mbledhjen e Kryesisë nuk u arrit konsensusi për deklaratë të përbashkët, e rrjedhimisht në seancë do të shkojnë të gjitha propozimet që u dhanë në Komision për Punë të Jashtme.

http://kallxo.com/pozite-opozite-pajtim-per-mospajtimin/

Në këtë seancë pritet të shqyrtohen projektligje në lexim të parë dhe në të dytë si dhe pritet të zgjidhen anëtarë të bordeve të disa institucioneve të pavarura.

Kështu, për herë të parë do të shqyrtohet Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për procedurën përmbarimore, si dhe Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për faljen e borxheve publike.

Ndërsa për herë të dytë, ndërkaq, do të shqyrtohen tri projektligje: Projektligji për kamatëvonesat në transaksionet tregtare, Projektligji për shërbimin mjekësor emergjent, si dhe Projektligji për profesionet e rregulluara në Republikën e Kosovës. Më pas, pritet të bëhet emërimi i anëtarëve të Bordit të Autoritetit Rregullativ të Hekurudhave.

Me votim të fshehtë pritet të zgjidhet një anëtar i Këshillit Prokurorial të Kosovës, kryesuesi i Komisionit Shqyrtues në Autoritetin Rregullator për Shërbimet e Ujit, zëvendësdrejtori i Autoritetit Rregullator për Shërbimet e Ujit, si dhe një anëtar i Bordit të Komisionit të Pavarur për Media.

Në këtë seancë, do të formohet, gjithashtu, Komisioni ad-hoc për përzgjedhjen e një anëtari në Bordin e Ankesave të Komisionit të Pavarur për Media, si dhe Komisioni Hetimor Parlamentar, sipas kërkesës së deputetes Shqipe Pantina, mbështetur edhe nga tetë deputetë të tjerë nga grupi parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje, lidhur me Radiotelevizionin e Kosovës.

E në fund do të zhvillohet debat parlamentar sipas kërkesës së deputetes Margarita Kadriu-Ukelli, mbështetur edhe nga nëntë deputetë të tjerë nënshkrues, lidhur me detyrimet e mundshme financiare të Kosovës për pretendimet e kompanive që kanë ushtruar padi në Gjykatën Ndërkombëtare të Arbitrazhit.

Në mbledhjen e sotme, Kryesia u njoftua edhe me rekomandimin e Komisionit për Buxhet dhe Financa për transferin e mjeteve buxhetore për Radiotelevizionin e Kosovës për periudhën 1 tetor – 31 dhjetor 2016.

http://kallxo.com/liberalizimi-afron-poziten-dhe-opoziten/