Shkollë e Re në Isniq të Deçanit

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami, dhe kryetari i komunës së Deçanit, Rasim Selmanaj, i kanë prerë sot shiritin objektit të ri të shkollës fillore “Isa Boletini” në Isniq të Deçanit.

Objekti i ri përmban 3 dhoma për nxënës parafillorë, 25 dhoma mësimi për nivelin fillor të mesëm të ulët, 3 laboratorë, bibliotekë dhe sallë të sporteve me hapësira përcjellëse.

Ministri Bajrami, përurimin e kësaj shkolle e ka vlerësuar si moment historik për banorët e Isniqit.

“Isniqi e ka merituar një shkollë të tillë, komuna e Deçanit e ka merituar një shkollë të tillë, duke dhënë kontribut në të gjitha fazat e shtetndërtimit, të lirisë dhe pavarësisë së Kosovës. Pikërisht, nga kjo shkollë, e cila mban edhe emrin e patriotit tonë kanë dalë shumë nxënës që u dëshmuan edhe në mbrojtjen e atdheut. Sot po e ndërtojmë shtetin tonë me këta të rinj që janë e ardhmja e vendit tonë. Nuk ka gjë më të mirë për popullin e Kosovës se sa të invetojmë për të siguruar kushte sa më të mira për mësim”,  tha ai.

Ai ka theksuar se investimi në arsim është obligim i brendshëm për faktin se është vetë mësimdhënës.

“Ne mësimdhënësit kemi për detyrë që këtyre nxënësve t’u sigurojmë një arsim cilësor, një edukim të shëndoshë, që të rinjve tanë t’iu krijojmë një perspektivë për të ardhmen tonë”, është shprehur ministri Bajrami.

Ndërkaq Kryetari i Komunës së Deçanit, Rasim Selmanaj, u shpreh falënderues për këtë investim që sipas tij ka qenë i domosdoshëm për ngritjen e cilësisë në arsim për këtë komunë.

“Isniqi e ka merituar këtë shkollë e cila do të jetë model për shkollat tjera. Falënderoj të gjithë ata që kanë kontribuar dhe kanë pasur vullnetin e mirë që kjo shkollë të përfundohet ku mësimdhënia dhe mësimnxënia të jetë e nivelit më të lartë”, tha Selmanaj

http://kallxo.com/perurohet-shkolla-2-milioneshe/