Shkolla Mirëpret Investimet e Komunës

Nxënësit e shkollës ‘7 Marsi ‘ në Prishtinë, pritën me duartrokitje Kryetarin e Komunës , Shpend Ahmeti i cili kishte ardhur ta vizitonte shkollën e tyre.

Kryetari i Komunës së Prishtinës , Shpend Ahmeti, Drejtoresha Komunale për Arsim, Arbërie Nagavci dhe Drejtori për Kulturë, Besart Vllahinja vizituan sot shkollën ‘7 Marsi’ për të parë nga afër punimet që janë bërë në infrastrukturë shkollore.

Në këtë shkollë është duke u ndërtuar salla e Edukatës Fizike si dhe janë bërë riparime në brendësinë e objektit.

Drejtoresha Komunale për Arsim, Arbërie Nagavci tha për KALLXO.com se ky projekt financohet tërësisht nga komuna dhe nuk është i vetmi sa i përket infrastrukturës shkollore.

“Është duke u punuar në ndërtimin e sallës së Edukatës Fizike këtu te shkolla ‘7 marsi’. Në të njëjtën kohë është përmirësuar komplet infrastruktura e nyjeve sanitare sepse kanë pasur probleme të mëdha në këtë shkollë dhe është duke u punuar në renovimin e dyshemeve”, tha Nagavci.

Ndërkaq Drejtoresha e Shkollës, Shpresa Gashi Çitaku u shpreh e gëzuar për nisjen e këtyre projekte sepse sipas saj do të përmirësojnë kualitetin e mësimit.

“Ky është një investim kapital që ka bërë Komuna e Prishtinës, Drejtoria Komunale e Arsimit dhe kjo do të ndikojë shumë mirë në aspektin shëndetësor por edhe në aspektin e realizimit të shumë projekteve të cilat nuk kemi pasur mundësi t’i realizojmë për shkak të mungesës së objektit”, tha Gashi-Çitaku.

Sipas drejtoreshës, projekti i sallës kishte filluar në tetor të vitit të kaluar ndërkaq punimet e brendshme janë përfunduar para fillimit të vitit shkollor.