Mustafa Busuladziq | Foto: Wikimedia Commons

Shkolla Boshnjake Kritikon Izraelin

Shkolla fillore “Mustafa Busuladzi” në Sarajevë iu kundërpërgjigj kritikave për emrin e saj të ri të enjten, duke thënë se Izraeli “s’ka të drejtë t’u japë leksione morale të tjerëve” për shkak të ndërtimit të vendbanimeve hebreje në territoret palestineze në kundërshtim me rezolutën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Ambasada e Izraelit për Bosnjën dhe Hercegovinën me seli në Tiranë, i dërgoi një notë proteste ministrit të jashtëm të Bosnjës në lidhje me vendimin për t’i vendosur shkollës fillore në Dobrosevici në Sarajevë emrin e atij që ajo e quajti shkrimtari dhe luftëtari “i diskutueshëm dhe anti-semit” i kohës së Luftës së Dytë Botërore Mustafa Busuladziq.

“Ambasada e Izraelit përsërit keqardhjen e saj të sinqertë që autoritetet e Kantonit të Sarajevës miratuan një lëvizje të tillë, sidomos duke pasur parasysh faktin se shumica dërrmuese e komunitetit hebre të Bosnjës u vra brutalisht nga dora e forcave pushtuese fashiste dhe naziste me të cilat z. Bursuladziq identifikoi veten”, tha ambasada në notën e protestës.

Por shkolla e refuzoi kritikën.

“Sarajeva multietnike, të cilën e përmendni në letrën tuaj, është shumë-etnike për shkak të Mustafa Busuladziqit dhe myslimanëve të tjerë të cilët me qëndrimin e tyre tolerant ndaj të tjerëve e bënë këtë qytet shumë-etnik”, thuhet në letrën e saj.

“Busuladziq nuk ishte një anti-semit. Si një intelektual ai fliste për cilësitë e hebrenjve të varfër, por edhe për tregtarë të tjerë johebrenj, të cilët po spekulonin për rritjen e çmimeve. Situata aktuale në botë, ku praktika të ngjashme bankare po shkaktojnë një krizë ekonomike, tregon se Mustafai kishte të drejtë”, shtoi shkolla në reagimin e saj.

Busuladziq është një figurë tepër e diskutuar në Bosnjë dhe Hercegovinë. Disa njerëz e shohin atë si një martir dhe një viktimë të regjimit komunist jugosllav, ndërsa të tjerë theksojnë se ai ishte një bashkëpunëtor i njohur i forcave pushtuese kroate ustashe gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe se mendimet e tij të shkruara shpesh pasqyronin idetë naziste.

Megjithatë, shkolla këmbënguli se ai ishte bërë dash kurbani nga komunistët jugosllavë, të cilët e ekzekutuan atë më 29 qershor 1945.