Shkelje ligjore në Tenderin 9,4 milionësh

Ministria e Shëndetësisë, sipas Organit Shqyrtues të Prokurimit, ka bërë shkelje ligjore në tenderin 9,4-milionësh për ndërtimin e Spitalit Regjional në Ferizaj.  Gjykata e Tenderëve ka konstatuar se vendimi i kësaj ministrie për të rekomanduar për kontratë kompaninë ‘Al Trade’ ka qenë i kundërligjshëm. Kompania ‘Al Trade’ kishte ofruar një çmim prej 9 milionë e 468 mijë eurove për ndërtimin e spitalit regjional me 250 shtretër.

“Anulohet vendimi i Ministrisë së Shëndetësisë për dhënie të kontratës lidhur me aktivitetin e prokurimit ‘Ndërtimi i Spitalit Regjional në Ferizaj’ dhe lënda të kthehet në rivlerësim që konform nenit 72 të kërkohen sqarime shtesë në lidhje me dokumentet e operatorit ekonomik ‘Pe-Vla-Ku’”, thuhet në vendimin e OSHP-së.

Ministria e Shëndetësisë i është bindur vendimit të Gjykatës së Tenderëve duke e anuluar njoftimin për Dhënien e Kontratës.

Paneli Shqyrtues i Prokurimit i përbërë nga kryetari Blerim Dina, Goran Milenkoviq, Nuhi Paçarizi, Ekrem Salihu dhe Tefik Sylejmani e ka miratuar pjesërisht ankesën/pretendimet e kompanisë “Pe-Vla-Ku”, mirëpo i ka anuluar dy ankesat e tjera të dorëzuara nga operatorët “Favor Ing” & “As Ing” & “Ҫlirimi” dhe “Alko Impex” & “Electra” & “Agri Construction”.

“Në lidhje me pretendimet e operatorit ekonomik ankues ‘Pe-vla-ku’ se është eliminuar padrejtësisht nga ky aktivitet i prokurimit, paneli shqyrtues konstaton se Ministria e Shëndetësisë duhet të kërkojë sqarime konform nenit 72 të Ligjit për Prokurim Publik në lidhje me diplomën dhe kualifikimin e inxhinierit Avni Sokoli dhe dokumentet e tjera të paqarta”, thuhet në vendimin e OSHP-së.

Paneli Shqyrtues i Prokurimit i përbërë nga kryetari Blerim Dina, Goran Milenkoviq, referues dhe anëtarët Nuhi Paçarizi, Ekrem Salihu dhe Tefik Sylejmani, kanë vendosur për anulimin e vendimit të Ministrisë së Shëndetësisë për dhënien e kontratës duke u bazuar në ankesat e operatorëve ekonomikë “Pe-vla-ku  Sh.p.k”, “Favor Ing” & “As Ing” & “Ҫlirimi” dhe “Alko Impex” & “Electra” & “Agri Construction”.

Gjatë prezantimit në seancë përfaqësuesi i operatorit ekonomik “Pe-vla-ku” tha se Ministria e Shëndetësisë ka bërë disa shkelje të ligjit për prokurim.

“Pika e parë e eliminimit nga autoriteti kontraktues për vërtetimin tatimor tri vitet e fundit është e pabazuar për shkak se kompania jonë ka realizuar mbi 3 milionë euro në Kosovë dhe mbi 18 milionë në Shqipëri. Pika e dytë e eliminimit se na mungon lista në ATK për 15 punëtorë dhe 6 inxhinierë, e cila është në kundërshtim dhe diskriminuese dhe bie ndesh me nenin 65, paragrafi 1, pika 4 dhe 8, pasi sipas këtij neni të gjitha kontributet e stafit i kemi paguar në Republikën e Shqipërisë dhe të njëjtën dëshmi e kemi në ofertën tonë që gjendet në dosje”, tha përfaqësuesi i “Pe-vla-ku”.

Gjatë prezantimit në seancë përfaqësuesi i operatorit ekonomik “Favor Ing” & “As Ing” & “Ҫlirimi” ka sqaruar në pika të shkurta arsyet e eliminimit të kësaj kompanie nga dhënia e kontratave.

“Në dosje është kërkuar që kompania të ketë të përfunduar një ose më shumë objekte shëndetësore me vlerë të përgjithshme jo më të vogël se 500 mijë euro. Ne si kompani kemi ofruar kontratë për punë të natyrës së tenderit me vlerë mbi 2.5 milionë euro”, ka thënë përfaqësuesi i “Favor Ing” & “As Ing” & “Çlirimi”.

Por, paneli shqyrtues ka konstatuar se konzorciumi ankues “Favor Ing” & “As Ing” & Ҫlirimi” nuk e ka plotësuar kërkesën e autoritetit kontraktues përkitazi me kapacitetin teknik dhe profesional që i është kërkuar.

“Konstatohet se ky konzorcium në këtë projekt [Renovimi dhe Restaurimi i Spitalit Khalifa Bin Zayed në Vushtrri] nuk ka kryer plotësisht punime të ndërtimtarisë, ashtu siç ka qenë kërkesa konkrete e autoritetit kontraktues,” thuhet në vendimin e panelit shqyrtues.

Gjatë prezantimit në seancë përfaqësuesi i operatorit ekonomik “Alko Impex” ka thënë se janë të paqëndrueshme arsyet e eliminimit të tyre nga ky tender. Ministria e Shëndetësisë e ka eliminuar këtë operator për dy shkelje.

“E para ka të bëjë me disa çmime të kërkuara në përmasë për të cilat MSH ka pretenduar se ‘Alko Impex’ nuk i ka plotësuar disa çmime të pozicioneve. Dhe e dyta është se Ministria e Shëndetësisë ka pretenduar se stafit teknik të paraqitur nga ta kontributet i janë paguar në Shqipëri dhe jo në Kosovë”, thuhet në vendimin e OSHP-së.

Por, paneli shqyrtues i ka hedhur poshtë pretendimet e operatorit “Alko Impex”.

“Paneli shqyrtues ka konstatuar se ky operator ekonomik (Alko Impex) nuk e ka plotësuar si duhet formularin e tenderit-pjesa 2, përmasa dhe parallogaria, konkretisht nuk ka dhënë çmimet për disa pozicione”, thuhet në këtë vendim.

Përfaqësuesi i Ministrisë së Shëndetësisë ka thënë se mbesin pranë vendimit të tyre për dhënien e kontratës lidhur me këtë aktivitet të prokurimit.

“Konsiderojmë se me vlerësimin e këtij tenderi kemi vepruar drejt në përputhje me ligjet e prokurimit publik në fuqi, duke respektuar kriteret e përcaktuara në njoftim për kontratë, dosje të tenderit dhe informata sqaruese dërguar operatorëve ekonomikë në fazën e tenderimit”, tha përfaqësuesi i Ministrisë së Shëndetësisë.

Vendimi i OSHP-së është i formës së prerë dhe i njëjti duhet të zbatohet nga palët. Por, palët e pakënaqura kanë të drejtë që me kërkesëpadi t’i drejtohen Gjykatës Themelore – Departamentit për Çështje Administrative për kompensim të dëmit në afat prej 30 ditësh nga data e pranimit të vendimit.

Kompania ‘Al Trade’ dhe ajo “Pe-Vla-Ku” kanë qenë të përfshira edhe në tenderin e Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik në vlerë prej 2 milionë euro. Pas vendimeve të OSHP-së që i kishin dhënë të drejtë kompanisë “Pe-Vla-Ku”, Ministria e Zhvillimit Ekonomik ka nënshkruar kontratë 2 milionëshe, apo rreth 600 mijë euro më të shtrenjtë se oferta e kompanisë ‘Al Trade’. Për shkak të shkeljeve në këtë tender Banka Botërore ishte tërhequr nga financimi i këtij projekti.

Kryesuesi i Organit Shqyrtues të Prokurimit Publik- OSHP, Blerim Dina nuk e kishte lejuar ekipit të KALLXO.com të përbërë nga Naim Krasniqi gazetar dhe Naser Fejza kameraman të përcjellin seancën publike për shqyrtim kryesor të ankesës nr.442-443-445/16 lidhur me tenderin për ndërtimin e Spitalit Regjional në Ferizaj.

http://kallxo.com/oshp-nuk-lejon-kamerat-ne-seancen-per-tenderin-9-milionesh/

Redaktoi: Visar Prebreza