Shkatërrohet pa u Shfrytëzuar Zyra e Vendit në Irzniq

Objekti i zyrës së gjendjes civile në Irzniq i ndërtuar para një dekade është shkatërruar pa u vënë në përdorim.

Për t’u ndërtuar ky objekt në vitin 2004 u dhanë mijëra euro, ndërsa ai aktualisht është i mbuluar me ferra dhe nuk ka dyer e dritare.

Kryetari i Irzniqit Mehdi Dodaj tha për KALLXO.com se objekti që sipas tij është i nevojshëm për fshatin, kur u ndërtua ishte në gjendje të mirë.

“Objekti fillimisht ka qenë shumë në gjendje të rregullt, i ndërtuar sipas standardeve që duhet me qenë. Neglizhencë e kujt është unë nuk e di pse s’është funksionalizuar,” tha ai.

Adem Lushaj, pjesë e shoqërisë civile në Deçan objektin e shkatërruar e cilëson papërgjegjësi të komunës në investime.

“Është investuar mbi 40 mijë euro në atë kohë, ndërsa funksional nuk ka qenë kurrë. Objekti tash për tash është i kapluar nga therrat dhe i shkatërruar në tërësi.  Kjo tregon që është papërgjegjësi  institucionale në investime,” tha ai.

Bashkim Ramosaj, drejtori i Administratës në Komunën e Deçanit tha për KALLXO.com se objekti nuk u funksionalizua, ngase kur ai u ndërtua kishte konteste, ndërsa sipas tij banorët reaguan për punët infrastrukturore të kryera afër tij.

Ramosaj deklaroi se prejse ka ardhur në krye të drejtorisë është munduar të gjejë zgjidhje për këtë objekt.

“Ne jemi në diskutim e sipër që të ndahet një pjesë e buxhetit, ajo të jetë një qendër e bashkësisë lokale të Irzniqit ku kryetarët e fshatrave të atyre komuniteteve kishin mundur me pasë një sallë, sepse hapësirat janë të nevojshme edhe për kryerjen e shërbimeve të gjendjes civile, mirëpo edhe për kryerjen e aktiviteteve  qe kanë kryetarët e fshatrave të atij regjioni,” tha ai.

Ramosaj bëri të ditur se më parë komuna duhet të gjejë gjuhë të përbashkët me banorët e Irzniqit, të cilët i akuzoi për dëmtimet që ka pësuar objekti.

Edhe kryetari i fshatit Irzniq e pranoi se objekti ka ardhur në këë gjendje nga faktori njeri, por deklaroi se kjo ndodh kur “nuk ka zot shtëpie”.

“Dëmtimi i objektit shkaktar është njeriu, se atë  kafshët nuk  e kanë shkatërruar po faktori njeri, mospërgjegjësia e njerëzve, të rinjve. Ku s’ka zot shtëpie shkatërrohet çdo gjë, kështu qe me kanë me funksionalizuar për të mirën e fshatit ai nuk dëmtohet po mirëmbahet,” tha ai për KALLXO.com.